Dje në mbrëmje, Amfiteatri i Liqenit Artificial i Tiranës u pushtua nga tingujt e muzikës shkodrane.
Mjeshtrat e mëdhenj të këngës shkodrane Mukades Çanga, Myfarete Laze, Bujar Qamili e Bashkim Alibali erdhën së bashku me artisët e rinj të qytetit, ku sollën një mbrëmje të paharrueshme për publikun artdashës. Në këtë koncert interpretuan orkestra, grupi i valleve së bashku me grupin “Karajfilat e Shkodrës”, nën koreografinë e Aldo Nikës dhe nën drejtimin artistik të Andi Unazës. Kënga qytetare shkodrane, historia, tiparet dhe karakteristikat dalluese të këtij visari shprehës të shpirtit estetik. Repertori i këngës qytetare shkodrane është shumë i pasur dhe i larmishëm.
E lindur në një ambient e në rrethana të caktuara historike, kjo këngë ka fituar tipare të përcaktuara mirë si gjuhë muzikore. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhën e kohërave nga populli dhe një pjesë e tyre, janë pastruar dhe pasuruar me elementë gjithnjë e më autoktone.
Në këngën qytetare shkodrane bëjnë pjesë këngët e ceremonialit të dasmës dhe ahengu qytetar. Përveç këtyre, kemi edhe këngë të tjera si këngët mitunore (“Nina-nana”), këngët e fëmijëve (“Mirë dita për kollana”), etj.
Më të lashtat janë këngët e dasmës ose vallet e kënduara. Ato përbëjnë një nga dukuritë më të bukura folklorike muzikore, jo vetëm të qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë trashëgimisë shpirtërore dhe artistike të popullit tonë.
Muzika e tyre shumë e brishtë, elegante dhe delikate është ruajtur mjaft mirë ndër vite.