Galeria Kombëtare e Arteve, një vend i qetë ku s’ndodh asgjë...

E Enjte, 06 September 2018 11:24

GKA dhe Ministria e Kulturës kanë përgjegjësi për bllokimin e konkursit “Onufri”, organizimi duhej të niste në prill. Për edicionin e 23 të ekspozitës kishte një fond prej 1 milionë lekësh të reja nga Ministria e Kulturës.

Ka kohë që nga GKA  nuk vijnë lajme të mëdha, befasuese. Ngjarje që nuk përsëriten. Thjesht vetëm lajme të rëndomta, ndonjë ekspozitë miqsh, ose qoka me porosi ose thjesht për qejf. Ka lajme të trishta, si bllokimi i "Onufrit", apo ndërrimi i emrit të saj...  E sa i përket "Onufrit", ekspozita e përvitshme, deri tani mungon në lajmërimet e Galerisë Kombëtare të Arteve për këtë vit. Edicioni i 23 ishte i fundit zhvilluar në GKA, dhe deri tani për konkursin dhe ekspozitën “Onufri” nuk ka asnjë njoftim. Heshtja e GKA për artistët dhe kuratorët është shqetësuese. Ata pohojnë se nuk mundet që konkursi ndërkombëtar me ekspozitën të fshihen nga axhenda e GKA. Ekspozita “Onufri” hapej çdo dhjetor dhe rrinte për publikun deri në fund të janarit të vitit më pas. Kuratori Andi Tepelena dhe një nga anëtarët e dikurshëm të komisionit që përzgjidhte kuratorin në GKA pohon se është e papranueshme kjo situatë me konkursin dhe ekspozitën “Onufri”. “GKA duhet të dalë dhe të përgjigjet zyrtarisht me çfarë po ndodh në atë institucion dhe për konkursin “Onufri”. Mendimi im si kurator ekspozitash, “Onufri” duhet bërë. Duhet të ishte në axhendën e GKA. Nuk mund të merremi më diskutimin me konkursin “Onufri” si atëherë kur e ndërpreu ministrja Mirela Kumbaro, dhe artistët u detyruan të reagojnë dhe të vijonte sërish”, pohon kuratori Tepelena. Më tej ai vijon se deri tani është treguar se i janë shmangur këtij konkursi. “Unë si kurator i qëndroj idesë, që konkursi dhe ekspozita “Onufri” duhet të bëhet dhe përgjegjësia për cilësinë është e GKA se si do të dalë. Drejtori i GKA nuk mund t’i devijojë këtij konkursi dhe ekspozite. Por me aq sa unë shikoj ai po i shmanget dhe do ta heq fare nga axhenda “Onufrin””, pohon Tepelena. Dekani i fakultetit të Arteve të Bukura Ardian Isufi në reagimin e tij pohon se deri tani asnjë njoftim zyrtar dhe përgjegjësia shkon te ministrja e Kulturës. “Mendoj se ne duhet të shtojmë aktivitetet në jetën artistike dhe jo mos ti zhvillojmë ato që janë. Edhe një konkurs që mbeti në artin pamor duan mos ta zhvillojnë. Kanë gjetur tani dhe platformën për restaurimin në GKA, por këtë konkurs ndërkombëtar shumë mirë mund ta bënin në një mjedis tjetër, por nuk duan ta bëjnë. GKA dhe Ministria e Kulturës kanë përgjegjësi. Drejtori Shkololli ka përgjegjësi për aktivitetin, por mbi të gjitha ka ministrja e Kulturës Kumbaro, sepse është një aktivitet që ministria ia delegonte GKA”, vijon dekani Ardian Isufi. Edhe pse konkursi dhe ekspozita “Onufri” në zhvillimet e tyre janë parë dhe me probleme zhvillimi ka qenë një traditë prej vitesh. Piktori Arben Golemi pohohen se në këtë situatë që janë GKA është shumë vonë për këtë konkurs. “Këtë vit unë dua të marr pjesë vetë në konkursin “Onufri” dhe nuk e di se si do veprohet. Dhe në rast se do të kemi kuratorë, me ata që janë të huaj nuk mund të flasësh direkt, që nesër është konkursi dhe eja se do merrni pjesë ju artistët. Ne nuk kemi asnjë ide dhe është e habitshme. Nuk dimë se çfarë po ndodh me “Onufrin””, shprehet piktori i njohur Arben Golemi.

 Ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore “Onufri” zhvillohet në fund të çdo viti brenda muajve nëntor-dhjetor në harmoni me kalendarin vjetor të GKA. Por deri tani GKA nuk ka bërë të ditur asnjë kalendar. Edicioni i 23 i ekspozitës kishte një fond prej 1 milionë lekësh të reja nga Ministria e Kulturës.

Login to post comments