Këtu është më mirë se atje, Flaka!

Premte, 07 September 2018 15:32

Flaka Halit çel ekspozitën e parë personale në Shqipëri

Artistja kosovare Flaka Halitit është me fat se ekspozitën e saj personale, “Këtu – apo atje, është më atje”, e para ekspozitë personale e artistes në Shqipëri do të çelet nesër, datë 7 shtator në ora 19:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme, dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor 2018. Duke luajtur me titullin e ekspozitës së saj, mund të themi se “Këtu është më mirë se atje, Flaka! Eshtë më mirë këtu, në GKA, se në ndonjë galeri tjetër në Tiranë. Jo të gjithë e kanë këtë fat të çelin një ekspozitë personale në GKA. Këtu ka artistë me emër, dyfishin e moshës tënde, me dhjetra çmime kombëtare e nëdrkombëtare dhe presin radhën që një ditë dyert e GKA-së të happen. Ti je me fat, se ke një kuratore si Leonie Radine dhe për më tepër edhe drejtorin e Galerisë, Erzen Shkololli nga Kosova. Po ashtu ke edhe zv/ minstren kosovare që të mbështet, të jep fonde për ta çelur një ekspozitë të tillë në zemër të Tiranës, madje ta mbash atë hapur dy muaj. Drejtori Shkololli e justifikon me faktin se kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kuratorja  Leonie, gjatë konferencës për shtyp, foli më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë. Kjo ekspozitë që do të prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale.

Leonie thotë: Titulli “Këtu – apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?

Më pas, artistja Flaka Haliti falënderoi përzemërsisht Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që bënë të mundur realizimin e ekspozitës së saj të parë në Tiranë. Në fund, ajo zgjodhi të bënte një tur në ekspozitë për të pranishmit për të shpjeguar më shumë mbi veprat e saj, si edhe për narrativën e gjithë prezantimit.

Biografi e shkurtër

Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare.

Login to post comments