Nga Hugo Drochon
I pyetur se kush është autori më i mbivlerësuar në një intervistë të kohëve të fundit, Stiven Pinker, psikolog në Harvard, dha këtë emër:Friedrih Niçe. ”Është e lehtë ta kuptojmë, se përse tronditjet e tij sociopatike, do të frymëzonin kaq shumë lëvizje të neveritshme të shekullit XX-të dhe XXI-të, duke përfshirë fashizmin, nazizmin, bolshevizmin, fraksionin libertarian të Ajn Randit, ekstremin e djathtë amerikan dhe lëvizjet e sotme neo-naziste”.
Për të kuptuar se përse Niçe ka qenë aq shumë i keqkuptuar, “Historia e filozofisë perëndimore” e Bertand Rasëll, është një vend i mirë për t’ia filluar. Ai po përpiqej të kuptonte ngritjen e Hitlerit, dhe e gjeti një përgjigje:Niçe. Lufta e Dytë Botërore, deklaroi Rasëll, ishte “Lufta e Niçes”. Me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe të djathtën ekstreme në rrugë, shumë komentues kanë filluar të pyesin nëse në Amerikë ka mbërritur fashizmi.
Benito Musolini pretendoi se ishte i ndikuar nga Niçe, dhe Hitleri e paraqiti veten si një mbinjeri Niçean, që po e drejtonte racën e tij ariane drejt fitores. Niçe vdiq më 1900, pasi kishte pësuar një krizë të fortë nervore më 1889. Legjenda thotë se kjo ndodhi në Torino, pasi kishte parë një kalë që ishte duke u rrahur nga pronari i tij, duke e mbërthyer me krahët e tij për ta mbrojtur.
Figura të mëdha politike të kohës së tij, nuk ishin as Hitleri dhe Musolini, por Bismarku, dhe politika e tij nuk ishte as fashizmi, as nazizmi por “politika e pushtetit” e bashkimit gjerman, dhe ekuilibri europian i pushtetit.
Ai u takua me disa nga njerëzit më të rëndësishëm të kohës së tij, përfshirë kompozitorin Rikard Vagner, psikoanalistin Sigmund Frojd, dhe Lu Andreas-Salome, me të cilin ra në dashuri. Niçe u vetë-rekrutua vullnetarisht si një oficer kalorës në Luftën Franko-Prusiane të viteve 1870-1871.
Do të ishte e vështirë të mos vlerësohej ndikimi që pati filozofi gjerman në kulturën e shekullit XX-të. Stili i tij letrar influencoi Albert Kamy, Andre Gide, Xhek London, Tomas Man, Uilliam Batler Jits, Xhorxh Bernard Shou; ndërsa filozofia e tij Martin Hajdegerin, Zhan Pol Sartrin, Xhak Derrida dhe Mishel Fuko; dhe shpesh konsiderohet si paraardhësi i ekzistencializmit, teorisë kritike, poststrukturalizmit, dekonstruktivizmit dhe postmodernizmit.
Niçe i përdori teoritë dhe idetë e tij, për të analizuar politikën e kohës. Synimi i Bismarkut, ishte të bashkonte Gjermaninë, në mënyrë që të mund të kishte një vend në tryezë me kombet e tjera të mëdha – Francën, Britaninë e Madhe dhe Rusinë – të cilët e kishin ndarë botën mes tyre.
Por Niçe e hodhi poshtë politikën e bazuar tek nacionalizmi, ksenofobia, filistinizmi dhe copëzimi i Europës. Në vend të kësaj, ai parashtroi moralin e vet të “politikës së madhe”, që synonte unifikimin e Europës (kontinentale), që udhëhiqej nga një elitë e re transnacionale. Qëllimi i saj, nuk do të ishte vetëm të çonte Europën në atë që Rudjard Kiplingu, e quajti më vonë “loja e madhe” – domethënë luftën e pushtetit midis Britanisë dhe Rusisë mbi Afganistanin dhe Indinë Veriore, por më e rëndësishmja, për të marrë pjesë në krijimin e një kulture të re, dhe të vërtetë europiane.
Po si u bë Niçe filozofi i Rajhut të Tretë? Ishte Alfred Baumler, filozofi i oborrit nazist, i cili e shndërroi atë në një “profet të Hitlerit”. Niçe u riformua si një filozof i shtetit gjerman dhe i pastërtisë racore gjermane. Baumler u ndihmua në këtë aspekt nga motra e Niçes, Elisabeta, e cila botoi një koleksion të faqeve të tij të fundit, të botuara nën titullin “Vullneti për pushtet”.
Niçe kishte një marrëdhënie të ngushtë me motrën, vetëm 2 vite më e vogël, por raporti mes tyre u përkeqësua kur ajo u përpoq të ndërhynte në marrëdhënien mes tij dhe Lu Andreas-Salome, të cilën ajo e quante “imorale”.
Por ndarja ndodhi kur Elisabeta u martua me Bernhard Forster, një antisemit i tërbuar, që u përpoq të krijonte një “koloni të pastër” ariane në “Nueva Germania” në Paraguaj. Në një letër drejtuar së motrës, Niçe e denoncoi Forsterin si pjesë të një “foleje anti-semite”, dhe ata nuk folëm më kurrë bashkë.
Për pjesën tjetër të jetës së tij, Niçe e konsideronte veten një anti-anti-semit. Kolonia në Paraguaj rezultoi një dështim: Forster kreu vetëvrasje, dhe Elisabeta u rrikthye në Gjermani në fillim të viteve 1890, e mbytur në borxhe. Por ajo pa një shans tek fama e vëllait të saj (që sapo kishte pësur një krizë mendore).
Elizabeta mori rolin e kujdestares së pasurisë letrare të vëllait të saj. Ajo redaktoi dhe ndryshoi shumë nga shënimet e Niçes. Nazistët e shpallën Niçen si filozofin e tyre, dhe në vitin 1934 vetë Hitleri vizitoi arkivin e folozifit të ngritur nga Elisabeta në Vajmar, ku ajo i dhuroi shkopin e vëllait të saj.
Në fakt ajo që nënkuptonte Niçe, është se shoqëritë moderne nuk kanë më një pikë referimi të përbashkët morale, për të udhëhequr veprimet e tyre. Iluminizmi ka sjellë triumfin e racionalitetit shkencor mbi të shenjtën. Ne nuk kemi më një moral të përbashkët, përreth të cilit të organizojmë jetët tona, dhe na ka mbetur të zgjedhim mes relativizmit moral dhe nihilizmit: besimit se jeta nuk ka vlerë; se nuk ka asnjë moral objektiv.
Niçe cilësohet shpesh si një nga filozofët e mëdhenj psikologë, pasi ka diagnostikuar sëmundjet nga e cila vuan epoka jonë:Frojdi e lavdëroi atë si njohësin më ”penetrues të vetvetes, se çdo njeri që ka jetuar ose ka gjasa të jetojë”. Dhe ky nihilizëm – një ndjenjë e paprekshmërisë në botën moderne – kap diçka të thellë në frymën e epokës sonë, e cila ka parë ngjarje – zgjedhjen e Trump dhe Brexit, por që shumë prej nesh e kanë të vështirë ta rrokin.
Duke humbur ankorimin tonë intelektual, ne filluam lundrimin duke kërkuar një ankorim të ri, por “deti” i hapur na ndan ende. Lidhja e nihilizmit me Niçen, është padyshim e saktë, por fajësimi i Niçes për nihilizmin, është njëlloj sikur të goditet lajmësi:Niçe diagnostikoi mbërritjen e tij, por nuk e miratoi kurrë nihilizmin.
E gjithë ndërmarrja e tij, kishte të bënte me përpjekjen për të gjetur një rrugëdalje. Në fakt, koncepti i tij i “moralit të skllavit”, i shenjuar nga nacionalizmi, ksenofobia dhe fragmentimi, duket si një mënyrë e mirë për të karakterizuar shumë saktë politikën aktuale të së djathtës ekstreme. Bertrand Rasëll e mbylli kapitullin e tij mbi Niçen me fjalinë:”Ithtarët e tij, kanë pasur mundësinë ta thonë fjalën e tyre, por mund të shpresojmë se koha e tyre po kalon shpejt”.
Kjo nuk është e mundur – jo më pak sepse ne jemi ende duke u përballur me “vdekjen e Zotit”. Mënyra e daljes nga kjo situatë, nuk do të jetë përmes ngritjes së një “Niçe” të mirë apo të keq, por përmes përballjes me atë që ai po përpiqej të na mësonte.
Dhe çfarë po përpiqej ta në linte trashëgim? Sipas vetëm shënimeve të tij, mësimi më i mirë i Niçes, ishte mendimi i kthimit të përjetshëm. Në një tjetër pasazh të famshëm, Niçe pyet:”Nëse një ditë ose një natë, një demon do t’iu vijë nga pas dhe do t’ju thotë:”Këtë jetë, ashtu siç e jetoni dhe e keni jetuar, do të duhet ta jetoni shumë e shumë herë të tjera… A nuk do ta hidhje poshtë dhe mallkoje demonin që fliste kështu?
Apo keni përjetuar dikur një moment të jashtëzakonshëm, kur do t’i ishit përgjigjur:”Ti je një Zot, dhe nuk kam dëgjuar asgjë më hyjnore se kaq!”. Fjala kyçe këtu është “nëse”:Niçe nuk pohon që kthimi i përjetshëm është i vërtetë – se ju do të rijetoni çdo rast të jetës tuaj një sasi të pafundme herësh – por ai pyet se si do të reagonit nëse kjo do të ishte e vërtetë.
Shumica e njerëzve, do të zgjedhin ndoshta të parën – ka shumë momente në jetën e dikujt, që askush nuk do të donte t’i ri-jetonte, dhe në fakt duke pasur parasysh mundësinë, shumica e njerëzve do të duan të kthehen në të kaluarën, për të ndryshuar diçka që ata kanë bërë, dhe për të cilën ndjejnë keqardhje.
Por ajo që Niçe po përpiqet të na shërojë, është pakënaqësia ndaj të kaluarës sonë:ai dëshiron që ne të arrijmë ta pranojmë atë. Dhe një mënyrë për ta pranuar, është të mësojmë nga e kaluara për të përballuar më mire me të ardhmen:nëse nuk kemi bërë gabime në të kaluarën, si mund të paralajmërohemi, që të mos bëjmë të njëjtat gabime në të ardhmen?
Shumica e njerëzve, s’munden ta kalojnë këtë test, por kjo është diçka normale:Niçe ishte mjaft i kënaqur që shumë njerëz – në mos shumica – të vazhdojnë të jetojnë jetën, siç kanë bërë gjithmonë. Por, për ata që janë të gatshëm ta ndryshojnë atë, ndoshta mendimi i kthimit të përjetshëm, mund të ofrojë bazën për një vlerësim dhe një etikë të re.
Shënim: Hugo Drochon, është një teoricien politik në Universitetin e Kembrixhit, dhe autori i librit “Politika e madhe e Niçes”.
Burimi: Marrë me shkurtime nga “Newstatesman”
Në shqip nga bota.al