Mbrëmë, në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit u mbajt premiera botërore për filmin artistik “Nëntor i ftohtë” të regjisorit Ismet Sijarina. Reagimi nga publiku ishte i jashtëzakonshëm, me një duartrokitje të gjatë, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK)..
Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A.
Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillimviteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara. Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.
Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.