“E mbesa e krahinarit” vepër e autorit Kristo Floqi, e shkruar rreth viteve ’30 do të jetë premierë në skenën e teatrit Metropol. Kjo komedi vjen në skenë edhe si pjesë e festivalit “Metrofest” në edicionin e dytë me regjisor Aldi Hysotoçin. Është një komedi ku Kristo Floqi, doket dhe zakonet, ligjet dhe rregullat, njerëzillëkun dhe burrërinë, e përshkruan shumë bukur, duke na sjell në pah jo vetëm realitetin e 1930, i cili përkon edhe me ditët e sotme. Sipas teatrit Metropol, komedia shqiptare “E mbesa e krahinarit” trajton problemin e abuzimit me postin zyrtar, paaftësisë dhe korrupsionit, gërshetuar me skena të këndshme humori. Në qendër të saj është vendosur krahinari i një fshati të largët, të cilin e ka zënë paniku nga vizita e inspektorit që do të nxjerrë në shesh gjithë abuzimet e tij. Në këtë komedi shqiptare vepër e arkivit, interpretojnë aktorët Xhino Musollari, Donald Shehu, Alba Shtëmbarin, me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit Luftar Paja. Skenografia në vepër përgatitur nga Klaid Ymeri dhe kostumet nga Suzana Bodinaku. Krahinari (Luftar Paja) akuzohet se ka përvetësuar paratë, që janë dhënë për rregullimin e rrugëve, ka lejuar kontrabandën, nuk ka dënuar njerëzit që kanë shkelur ligjin, nuk ka mbajtur qëndrim të paanshëm në zgjedhjet e bashkisë, siç e kërkonte pozicioni i tij, e kështu me rradhë. Krahinari është një njeri i mirë, përgjithësisht merret me martesat në fshat dhe me punë të rëndomta institucionale. Është natyrë babaxhane ndaj për këtë arsye, shumë detyra të tij të ngelen pa bërë. Por përgjegjshmëria e këtij individi si njeri bën që në fund çdo gjë të shkojë në më të mirën e mundshme. Komedia në skenën e teatrit do të shfaqet mbrëmjet e datave 6 dhe 10 tetor.