Teatri Metropol prezanton në vijim të sezonit artistik, që ka nisur këtë vit një tjetër vepër, që sjell në skenë aktore të njohura të teatrit. Me regjisore Ema Andrea dhe aktoren Ilir Vinca dhe Egla Ceno në sezonin artistik të Metropolit do të jetë dhe drama “Natën Ma” shkruar nga Marsha Norman. Kjo vepër ka bërë bashkë një kastë artisësh të njohur, ku muzika është nga Bojken Lako dhe muzikantë në vepër janë Endi Aron Çekani dhe Rei Kondakçi. Pas veprës që po shfaqet këto ditë në Metropol “Sherlok Holms dhe Langoi i Bakservillëve” më pas sezoni do të vijojë me këtë shfaqje teatrore në skenë për publikun. Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit? Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten? Vepra tregon fatin e një nëne, Telma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thojë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta. Skenografia e veprës është realizuar nga Enio Shehi dhe identiteti vizual nga Vincenzo Giannattasio. Kjo për tre artistet, regjisoren Ema Andrea dhe dy aktoret Egla Ceno dhe Ilire Vinca duket se është dhe shfaqja e parë këtë vit që ka nisur për sezonin artistik në teatër.