Krerët e shtetit të Kosovës nderojnë shkrimtaren Helena Kadare

Tuesday, 09 October 2018 16:39

Dy dekorata nga krerët e shtetit të Kosovës i janë ndarë sot shkrimtares Helena Kadare. Medaljen Presidenciale të Meritave ia ndau presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.  Hartën e Artë të Kosovës ia dhuroi kryeministri, derisa përmes saj, falënderoi edhe shkrimtarin Ismail Kadare për kontributin e tij dhënë për Kosovën.  Shkrimtarja Helena Kadare tha se këto nderime për të janë shumë të veçanta.

Thaçi ka thënë se në kujtimet dhe publicistiken e shkrimtares Helena Kadare, vend të veçantë zë edhe dashuria ndaj Kosovës.

“E dekorova shkrimtaren e njohur Helena Kadare për kontributin e saj autentik në pasurimin e letërsisë shqipe. Tek Helena Kadare, në kujtimet dhe publicistiken e saj, vend të veçantë zë edhe dashuria ndaj Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, shkrimtarja Helena Kadare e ka falënderuar presidentin Thaçi për dekoratën e ndarë dhe ka evokuar kujtime nga vizitat e saj të mëhershme.

“Sa herë që vij në Kosovë, vërej përparim dhe i gëzohem çdo të arriture të Kosovës”, ka thënë shkrimtarja Kadare.  Presidenti Thaçi ka theksuar se fryma oksidentale e familjes Kadare është një vlerë e veçantë e kulturës sonë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, shkrimtarja, njëherësh bashkëshortja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, ka mbajtur një ligjëratë, ku ka folur për jetën e tyre, sfidat gjatë komunizmit, çmimin Nobel dhe shumë detaje tjera.

Login to post comments