Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjecare shkrimtari i njohur Fatos Arapi. Lajmi është bërë i ditur nga familja e shkrimtarit, ndërsa ceremonia e varrimit do bëhet në varrezat e Sharrës në Tiranë. Poeti kishte kohë që jetonte vitet e fundit në heshtje. Heshtja thyhej nga ndonjë botim poetic, ose në faqe gazetash. Në homazh dhe nderim kushtuar peotit Fatos Arapi, i cili u nda nga jeta në moshën 88- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 11 tetor ekspozitën “Homazh Fatos Arapit” (1930-2018).
Krijimtaria e botuar e Fatos Arapit zë fill në vitin 1962 me botimin e vëllimit të parë poetik “Shtigje poetike”, për të vijuar më pas me një sërë vëllimesh poetike, tregime e novela dhe romane. E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, krijimtaria e tij rreth 50-vjeçare përfshin : “Poema dhe vjersha” (1966); “Ritme të hekurta : vjersha dhe poema” (1968); “Patat e egra : novelë” (1970); “Dhjetori i shqetësuar : roman” (1970); “Kaltërsira” (1971); “Dikush më buzëqeshte : novelë” (1972); “Drejt qindra shekujsh shkojmë : poema e vjersha” (1977); “Poezi” (1974); “Shokët : roman” (1977); “Fatet” (1979); “Deti në mes : roman” (1986); “Këngë të moçme shqiptare : studime” (1986), ribotuar edhe në vitin 2007; “Fjalë për poezinë : studime dhe artikuj” (1987) apo “Duke dalë prej ëndrrës... : poezi” (1989). Për të vijuar më pas me “Dafina nën shi” (1991); “Ku shkoni ju statuja... : poezi” (1990)”; “Ne, pikëllimi i dritave : poezi” (1993); “Unë vdiqa në brigjet e Jonit” (1993); “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (1996); “Ancient Albanian songs : studies”(1996); “In-tenebris... : poezi” (1996); “Më vjen keq për Jagon : poezi” (1994); “Gloria victis : poezi” (1997); “Kujtohem që jam” (1997); “Më duhet një gjysmë ëndrre : poezi” (1999); “Kush ishte Vllas Arapi” (2000); “Cipa e dëborës : novela” ( 2000); “Gjeniu me kokë të prerë” (2000); “Vëllezër hamletë : poezi” (2001); “Antologji personale” (2001); “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (2001); “Nuk shitet shpirti në tetor : novela” (2002); “Eklipsi i ëndrës” (2002); “Ah, sikur të isha një përrallë : poezi” (2003); “Në Tiranë kur s'ke ç'të bësh... : tregime” (2003); “Shëtitje pa veten : poezi” (2005); “Horrat e ndershëm : tregime” (2007).
Në vitin 2014 është botuar pothuajse e gjithë krijimtaria e tij ndër vite në një përmbledhje poetike në katër vëllime : “Më jepni një emër : poezi të zgjedhura 1962-1989”; “Në kaq pak Tiranë : poezi të zgjedhura 1990-1996”; “Urna e vogël : poezi të zgjedhura 1997-2003” dhe “Një buzëqeshje e pabesueshme : poezi të zgjedhura 2005-2010”.
Fatos Arapi është marrë edhe me përkthimin, duke sjellë në gjuhën shqipe “Vuajtjet e Verterit të ri” të J. W. Gëte botuar në Prishtinë, poezinë e Pablo Nerudës, Justo Jorges Padron, nga letërsia maqedonase Ante Popovskin, Mateja Matevski, si dhe “Antologji e poezisë turke e shekullit XX”.
Fatos Arapi lindi në Vlorë në vitin 1930. Kreu studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Sofjes (1949–1954). Ka punuar si gazetar, pedagog, redaktor dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Ai nisi të shkruajë që në vitet e studimeve. Arapi i përket brezit të poetëve që në vitet ’60 sollën një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë shqipe nga rutina poetike dhe notat retorike.