Dymbëdhjetë vjet që “Argjiro” organizon festivalin ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve”, i cili mbrëmë shënoi natën e fundit në Pallatin e Brigadave. Festivali, që nisi më datë 21 shtator në Gjirokastër për të vijuar dhe në qytete të tjera, në mbrëmjen e fundit solli skenë artistë të njohur, që u duartrokitën nga publiku. Në fjalën e saj përshëndetëse drejtoresha e shoqatës “Argjiro” Ilda Mara theksoi se ky festival është një projekt unik.
“Festivali synon të ndërthurë dy botë në një, të gërshetojë traditën dhe identitetin me klasiken. Rrugëtimi ynë në këto dymbëdhjetë vjet ka qenë i mundimshëm po dhe i bukur, ia kemi dalë të sjellim emra të mëdhenj në kalanë e Gjirokastrës, në Berat, në Shkodër, në Vlorë nga skenat evropiane të operave, po asnjëherë nuk ka munguar polifonia shqiptare apo lahuta e malësisë”, pohon drejtoresha Mara. Ky edicion organizohet nën ombrellën e Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore dhe sipas saj, synimi ishte që të inkurajohet dhe promovohet trashëgimia si dhe ndërgjegjësim për vlerta dhe historinë shqiptare dhe atë evropiane, si dhe të forcohet ndjenja e përkatësisë së një hapësire të vetme evropiane. “Trashëgimia kulturore evropiane na lejon që të kuptojmë të shkuarën duke i mbajtur sytë nga e ardhmja. Aty ku e kaluara takon të ardhmen! Surpriza e fundit e festivalit "Takimet Muzikore të Dy Botëve" është Blerta Zhegu e shoqëruar nga orkestra e harqeve e Klubit të Artit dhe të Kulturës së Sigal Uniqa Group Austria, e cila ju fton në një udhëtim me kompozitorë romantike evropiane dhe me traditën shqiptare”, pohoi drejtoresha Ilda Mara në fjalën e saj përshëndetëse të koncertit. Po ashtu festivali u përshëndet dhe nga ambasadori Luigi Soreca, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Në program të pasur muzikor përcolli koncerti i fundit i festivalit, ku sopranoja e njohur Blerta Zhegu nga skenat e huaja këtë herë ishte në skenën shqiptare. Blerta Zhegu ka marrë disa çmime ndërkombëtare si: çmimin e parë në konkursin "Ars Kosova" në Prishtinë, çmimin Special të Jurisë “VI Rassegna Concertistica” në Montichiari, Itali dhe çmimin e tretë në konkursin “Trofeo la Fenice” Seravezza, Itali.