Prevazi: “Muret si mënyra për të ndarë shoqërinë brenda vetes së saj, por edhe shoqëritë me njëra-tjetrën. Ju e dini shumë mirë që ne sot në Europë asistojmë në një situatë muresh të reja që kanë lidhje me emigracionin. Mure jo thjesht dhe vetëm në tematikën e një narracioni, por në formën e një qasje natyraliste, si metaforë e këtij fenomeni që ndodh kudo mure që disa vende Europiane kanë vendosur me disa vende të tjera”
Festivali Ndërkombëtar i Dansit Kontemporan ka nisur edicionin e 13 në vendin tonë. Këtë edicionin janë 11 trupa artistësh, shqiptare dhe të huaja që janë pjesë e festivalit. Prej vitesh festivali është parë si unik në llojin e tij për atë që përcjell te publiku, ku edhe këtë vit festivali vjen i drejtuar nga koreografi i njohur Gjergj Prevazi. Festivali zhvillohet për disa javë me radhë kur në mbrëmje të ndryshme artistët janë në skenën e Tiranës, Durrësit apo dhe Prishtinës. Drejtori i “Albania Dance Meeting- Festival”, koreografi Gjergj Prevazi pohon se këtë vit festivali ka një tematikë të larmishme që lidhet me realitetin sot në Europë. “Në festival këtë edicion janë kryesisht tema, që lidhen me aktualitetin evropian, si krijimi i mureve të reja për të ndarë shoqërinë, nacionalizmi, emigracioni. Janë 11 trupa artistike që vijnë nga Zvicra, Italia, Hungaria, Polonia, Letonia, Kosova e Shqipëria”, pohon koreografi Prevazi. Festivali Ndërkombëtar i Dansit Modern dhe Kontemporan cilësuar një projekt unik në vendin tonë, përfshin një fushë të rëndësishme të artit. Sipas drejtorit artistik Gjergj Prevazi, festivali ka krijuar një traditë të përvitshme dhe synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme. E ndërsa risitë dhe vlerat artistike nuk mungojnë në këtë festival mbrëmjen e datës 16 tetor në sallën “Black Box” në Universitetin e Arteve vjen një tjetër artiste e njohur me performancën e saj. Koreografia Simona Perrella sjell performancën e saj “Lumen me lumen”. Në konceptin e saj tregohet se Lumen është njësia e matjes së dritës dhe energjisë së trupit që vendos me qartësi dhe kureshtje për të kaluar limitin e përditshëm që përsëritet. “Si pasojë, vetë trupi merr përsipër përgjegjësinë e hapësirave ku jeton, dhe intervaleve midis tyre dhe e sheh veten si një qenie anonime në një kafaz në të cilin kufijtë ndajnë dritën dhe errësirën. Kjo është një metaforë e kontrasteve që trupi jeton në vetvete dhe një pretendim për të gjetur një zgjidhje të kontrastit mes vetvetes dhe botës së jashtme që prodhojnë frikë dhe disorientim. Për më tepër, ajo përfshin në vetvete kontrast midis errësirës dhe dritës, duke u bërë veshje e një qenieje të përjetshme, anonime dhe, në këtë mënyrë, universale”, thuhet mbi këtë performancë.
Festivali i dansit ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës dhe më gjerë janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj. Festivali nisi me datë 2 tetor dhe edicioni i këtij viti do të vijojë deri më datë 15 nëntor. Kompania e famshme botërore “Linga” erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe çeli edicionin e 13 të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit. Në këtë shfaqje e cila trajton temën e emigracionit, ishin edhe 4 artistë shqiptarë. Drejtori artistik Gjergj Prevazi shpjegon se kjo vepër lidhet me muret si forma izolimi. “Muret si mënyra për të ndarë shoqërinë brenda vetes së saj, por edhe shoqëritë me njëra-tjetrën. Ju e dini shumë mirë që ne sot në Europë asistojmë në një situatë muresh të reja që kanë lidhje me emigracionin. Mure jo thjesht dhe vetëm në tematikën e një narracioni, por në formën e një qasje natyraliste, si metaforë e këtij fenomeni që ndodh kudo mure që disa vende Europiane kanë vendosur me disa vende të tjera”, pohon Prevazi.