Në organizim të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni sonte në objektin e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë është hapur ekspozita kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj e titulluar “Unë jam shqiptar”, raporton AA.
Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshinë materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita e njëjtë më herët është paraqitur edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, si dhe në në atë kosovar, Prishtinë.
Në hapjen e ekpozitës i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, i cili theksoi se shqiptarët e Maqedonisë nuk mungojnë në këtë ekspozitë ku paraqiten emigrantët shqiptar që kanë kontribuar në të mirë të popullit shqiptar.
“Kjo ekspozitë, përveç tjerash, është edhe një mirënjohje për kontributit e mërgatës shqiptare të Maqedonisë. Në mesin e shumë emrave të mëdhenj dua të veçoj dy nobelistët e vetëm shqiptar, së paku deri më tani, Nënë Terezën nga Shkupi dhe Ferid Muratin nga Gostivari, që janë dëshmi që shqiptarët e Maqedonisë jo të ngecin në kontributin e thirrjes ‘unë jam shqiptar’, por ata edhe prijnë”, deklaroi ministri Asafi.
Ndërkaq, kryetari i Intitutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skender Asani, tha se të gjitha këto të mira që i ka sot populli shqiptar dhe, siç tha ai, i përjeton në të gjitha fushat e jetës, i ka pikërisht nga diaspora shqiptare.
“Pa mërgatën shqiptare ne nuk do të kishim ekzistencë në këto troje, troje të cilat kanë qenë gjithnjë synim për t’i marrë dikush tjetër dhe për të bërë një histori krejtësisht tjetër dhe falë kësaj mërgate ne jemi këtu”, u shpreh Asani.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e heroit kombëtar, Gjerg Kastriot Skënderbeut, kur edhe filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita po ashtu përmban fotografi të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, fotografi të arbanitasve dhe rilindasve shqiptarë.
Fotografia e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar me fotografi të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalite të suksesshme shqiptare në vendet e tyre të emigrimit.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, në hapjen e ekspozitës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e kulturës.
“Sot konstatoj me kënaqësi që kemi vënë gurthemelin e një bashkëpunimi të rëndësishëm i cili do të konkretizohet dhe do të jetë drejtpërsëdrejti edhe me produkte të tjera kulturore”, tha Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë./