“Lakuriqi i natës” me muzikën e Strauss dhe valset vjeneze, në skenën e Pallatit të Kongreseve

E Enjte, 25 October 2018 16:59

"Lakuriqi i natës" me muzikë të Johann Strauss dhe libret të Carl Haffner e Richard Genne vjen në skenën e Pallatit të Kongreseve për publikun. Sonte është mbrëmja e tretë, që shfaqja vijon në skenë dhe interpretojnë artistë të njohur. Regjia dhe koreografia e veprës është nga Renato Zella. Ndryshe nga operat e mëdha, opereta, motra e saj e vogël, është më afër realitetit, megjithëse ajo luan shumë lirshëm me disa elemente të këtij realiteti dhe rrëmben disa elemente ekstravagante për të arritur një fund të ëmbël. Dirigjent Tian Tichbanov dhe dirigjent kori është Dritan Lumshi. Kostumografia nga Enada At Nikolla dhe skenografia nga Bashkim Zahaj. “Lakuriqi i natës” cilësohet si pjesa më e bukur e shkruar nga Strauss. Sipas protagonistëve vjen muzika më e bukur e tij, libreti, dialogjet dhe valset  vjeneze të mbledhura bashkë në një vepër të vetme. Pak para shfaqjes, drejtoresha e TOB Zana Çela shkruante se të tjerë artistë do të ishin nën petkat e personazheve të Strauss mbrëmë. “Jam e bindur, që kjo shfaqje kudo po të shfaqej do merrte vlerësime të njëjta. Ju vlerësoj shumë e ju nxis pa u lodhur drejt niveleve ndërkombëtare të skenave operistike. Sonte të tjerë këngëtare të rinj do veshin kostumet e personazheve të Strauss. Ejani miq të ndjejmë sëbashku emocione magjike nga më i madhi i melodisë e valseve vjeneze-Strauss”, shprehet Çela në statusin e saj. Solistja e njohur Ledia Sulaj gjithashtu vlerëson punën për këtë vepër në skenë. “Vepra ka nota të bukura humori! Është plot me energji dhe alegri, pjesa koreografike ka lëvizje të thyera neo-klasike sikurse dhe valset e bukura klasike të Shtrausit,. Koreografi dhe regjisori në të njëjtën kohë i vepër është kujdesur në çdo detaj që vepra të vijë sa më natyrshëm dhe rrjedhshëm nëpërmjet dialogjeve të aktruara, këngëve dhe baletit. Publiku ishte motivi kryesor që u vendos të rivihej kjo operetë sërish”, tregon solistja e baletit Ledia Sulaj.

Login to post comments