Teatri shqiptar duhet të ketë më tepër përfaqësime në skenat e huaja në festivale të ndryshme. Kjo deri tani nuk ka qenë sa duhet dhe për regjisorët sjell probleme sa i takon përballjes me vlerat e teatrit. Regjisori i njohur i teatrit dhe filmit, Fatos Berisha, rendit një sërë problemesh për teatrin dhe jetën kulturore. Sipas tij, festivalet e teatrit janë të domosdoshme për ballafaqimin e vlerave teatrore, dhe për të parë nivelin artistik. Për regjisorin Fatos Berisha tjetër problem është që arti dhe kultura në shoqëritë shqiptare shikohen si një e keqe e domosdoshme, gjë që është e dëmshme sipas tij. Për regjisorin jo vetëm që duhet të ketë më shumë vëmendje për teatrin, por dhe buxheti për kinematografinë shqiptare duhet të rritet.
“Ky vit më ka shkuar nga puna në punë me projekte. Ne ankohemi kur nuk kemi punë, por fatmirësisht unë kam pasur shumë punë. Ky vit nis me një shfaqje në Kosovë në Teatrin Kombëtar, më pas kam qenë me xhirime me filmin “Cirku fluturues”, ishte festivali i filmit, tani jam sërish këtu me një tjerë shfaqje premierë ku jam regjisor. Të hënën do të jem në Shkup për të vijuar montazhin filmit, më pas do të jem në teatrin e Shkodrës për një tjetër shfaqje teatrore.
Fatkeqësisht ka probleme me institucionet e teatrit në përgjithësi dhe gjendjen e tyre. Kosova është rindërtuar pas luftës dhe me objekte. Janë rindërtuar pothuajse të gjitha shkollat, si dhe objekte të tjera, ama vetëm teatro as nuk janë ndërtuar as rindërtuar. Ky është një problem gjithëshqiptar dhe jo vetëm në Shqipëri ka teatro me probleme. Kjo sepse kultura në hapësirat mbarëshqiptare nuk është prioritet jo vetëm nga qeveritë, por dhe nga vetë shoqëria. Nganjëherë kam bindjen sikur artin e shikojnë si një e keqe e domosdoshme, që hajt se duhet ta bëjmë dhe vetëm kaq. Por kjo reflekton në të gjitha aspektet. Unë e dëgjoj dhe veten dhe të tjerë kur flasin, dhe po mendoj që nuk duhet të ankohem më, sepse dhe jam lodhur duke folur nga ankesat. Tani nuk dua të ankohem më, por dua të punoj aq sa mundem. Këtë po bëj realisht. E theksoj, që jo vetëm ministritë e Kulturës që kanë përgjegjësi, por dhe ne vetë si shoqëri duhet të bëjmë më shumë, dhe të jemi më kërkues në kërkesat tona. Nëse shoqëria jonë shqiptare e shikon kulturën si një e keqe e domosdoshme, kjo është rrezik për shoqëritë tona. Ky është problem që vijon, dhe është jo vetëm i dikastereve që mbajnë kulturën, por dhe vetë ne kemi përgjegjësi. Moskujdesi ndaj kulturës është moskujdes ndaj qytetarit, që duhet të ketë nevoja të konsumit të kulturës. Mendohet se me investimin në arsim mbulohet dhe kultura. Por nuk mbulohet kultura duke investuar në arsim. Kultura kërkon investimet e saj”.
Lidhur me kinematografine regjisori F. Berisha thote se “Kinematografia për mua në dallim prej teatrit, si në Shqipëri dhe Kosovë ka më tepër zhvillim. Kinemaja është në një trend rritje pozitiv. Ka një progres dhe këtë e them, duke u bazuar në disa fakte dhe informacionet, që di unë si kineast vetë dhe një njeri që jeton dhe në Shqipëri dhe punon edhe në Kosovë. Mund të mos jetë e kënaqshme se sa është buxheti për qendrat e filmit, por ama ka rritje. Kemi rritje të prodhimit të filmit. Po bashkëprodhohet dhe me shtete të tjera për filmat dhe kjo merr shumë rëndësi. Jo vetëm Shqipëria dhe Kosova të dyja, por dhe me shtete të tjera. Kjo është trendi evropian. Ka filma nga Kosova dhe Shqipëria, që janë të suksesshëm në festivalet ndërkombëtare, sepse ky është tregu i tyre, pasi rrejti i kinemave si në Shqipëri dhe në Kosovë është inekzistent, ne nuk kemi kinema për filmat. Janë pak kinema dhe rrejti janë festivale e filmit. Suksesi është evident dhe nuk mund ta mohojmë suksesin me filmat si ata me metrazh të shkurtër por dhe të gjatë. Më i fundit sukses filmi me regji nga Bujar Alimani, ku “Delegacioni” më i miri në festivalin ndërkombëtar të Varshavës. Me sa di unë është çmimi më i madh që ka marrë deri tani ndonjë film nga Shqipëria, sepse është dhe festival i kategorisë A. Suksesi i filmit duhet të sjellë dhe më shumë buxhet, shteti duhet ta vlerësojë kinematografinë shqiptare.
Të tria ministritë e Kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhet ta financojnë zhvillimin e një festivali të tillë teatror, i cili duhet të mbahet çdo vit, sepse ne kemi prodhime që mund të selektohen. Por shfaqjet duhet të selektohen nga selektorët dhe jo të vendosë vetë teatri se çfarë do të sjellë. Sepse në këtë mënyrë zhvillohet dhe një garë e fortë. Dhe këta ta bëjë një bord i ndarë nga teatrot, i pavarur me profesionistë që të bëjë përzgjedhjen e shfaqjeve dhe të udhëheq festivalin. “