Në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit u shfaq pjesa teatrore “Dogfall” e autorit australian Caleb Lewis me regji nga Stefan Çapaliku. Pjesa teatrore erdhi për të gjithë artdashësit, si një moment reflektimi për luftërat që kanë pasoja të rënda, deri në transformim të qenies njerëzore. Në role janë aktorët Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri si dhe Erion Hinaj. Skena dhe kostumet janë përgatitur nga Sadik Spahija, muzika në vepër nga Agron Shala, koreografia Gjergj Prevazi. Regjisori Stefan Çapaliku tregon se është një shfaqje e ashpër, e egër, por shpesh edhe lirike dhe e përzemërt.
“Një dekonstruksion intensiv i luftës, sepse vetë drama e Leëis është mahnitëse, dhe e frikshme. Shfaqja do t’i shpëtojë zymtësisë totale, duke prekur ndër terrene shpesh qesharake të njerëzimit”, pohon Çapaliku. Shfaqja sipas tij ka nënvizuar faktin se këta burra luftojnë për të mbijetuar ndërkohë, që beteja vazhdon dhe armiku ndryshon papushim, dhe pastaj qentë fillojnë të bien.
“Kemi të bëjmë me një histori ambicioze të shkruar në mënyrë të përsosur, të kontrolluar dhe të mbushur me njohuri dhe referenca. Kështu “Dogfall” i tejkalon të gjitha pritjet. Temat komplekse, karakteret simpatikë dhe një komplot absurdi e kthen dramën në një lojë të tensionuar dhe shpesh të pandërgjegjshme”, vijon të pohojë regjisori. “Dogfall” i bën jehonë luftës në të gjitha dimensione antihumane dhe shtazarake të saj. Autori ka zgjedhur një vend veprimi tipik, siç është bunkeri, kjo shpellë moderne e prodhuar nga vetë njeriu për asgjësimin e shoqërisë. Bunkeri paraqitet në vepër si “atdheu” i dy ushtarëve, që më vonë bëhen tre dhe që përshkojnë së bashku njëqind vjet histori që nga fillimi i shekullit të XX e deri në fillimet e Mileniumit të tretë. Konvencioni teatral e përcjell narracionin dramatik nga viti 1916 në betejën famëkeqe të lumit Som midis trupave franko-britanike dhe atyre gjermane, duke ndërruar shpesh e më shpesh vendet e veprimit. Dhe në këtë mënyrë ngjarjet shkojnë në Edesa të Greqisë, Nankin të Kinës, Londrën e vitit 1941 tek bombardohet nga gjermanët, në kampin e përqendrimit në Treblinka të Polonisë, në betejën e Stalingradit sovietik, në Nagasaki të Japonisë, Pnom Pen, Kuvajt, Izrael, e kështu me radhë deri te rrëzimi i kullave binjake në Nju Jork apo në kampin famëkeq të Guantanamos në ditët tona. Shfaqja është një projekt i Ambasadës Gjermane dhe asaj Franceze në Tiranë me mbështetjen e Teatrit Metropol.