Tenori Saimir Pirgu aktualisht është duke bërë një karrierë shumë të mirë, gjë që atë e ngrit në piedestalin më të lartë të operës në mbarë botën. Publiku parisien ka mundur ta dëgjojë në mënyrë të përsëritur dhe mund ta gjejë deri në fund të vitit 2018, për një prodhim të shumëpritur të “La Traviata” në Teatrin “Champs-Elysées”.
Në një intervistë të portalit “revopera.com”, Saimiri ka rrëfyer për pasionin e tij si operist, të cilin e mbolli në ambiciet e veta për t`u bërë këngëtar i operës, duke u frymëzuar nga tre tenorët e mëdhenj, transmeton Albinfo.ch.
“Isha vetëm 18-vjeçar, kur diplomova në violinë dhe vendosa të largohesha nga Shqipëria për të shkuar në Itali. U pranova në Konservatorin e Bolzanos dhe aty takova Maestro Vito Brunetti, i cili donte që unë të isha në klasën e tij dhe kishte shumë besim në mua. Në moshën 20-vjeçare, tashmë kisha fituar konkursin `Enrico Caruso` në Milano, si dhe konkursin `Tito Schipa` në Lecce. Pak kohë më pas, Claudio Abbado më kërkoi të bëja një audiencë dhe më zgjodhi të punoja së bashku. Në shkurt të vitit 2004, këndova nën drejtimin e tij `Cosi fan tutte` në Ferrara, Modena dhe Reggio Emilia. Në prill të vitit 2004, më pas fillova në Operën e qytetit në Vjenë, pastaj në Festivalin e Salzburgut, në gusht të të njëjtit vit”, ka pohuar operisti shqiptar.
Duke bërë një retrospektivë të arsimimi të tij në fushën e muzikës, Saimri ka nënvizuar se Shqipëria është një vend me një traditë të bukur të muzikës klasike. Në nëntor të këtij viti, Saimiri do të këndojë “La Traviata” në Teatrin “Champs-Elysées”.
Kjo do të jetë performanca e tij e 100-të e kësaj opere dhe ai është tepër i emocionuar, informon Albinfo.ch. Kënaqësia e tij e dyfishtë është se do të drejtohet nga dirigjenti Jérémie Rhorer, një muzicient i jashtëzakonshëm.
Karrierën e tij, Saimir Pirgu e ka filluar në moshë shumë të re dhe ka pasur rastin të bashkëpunojë me shumë artistë të jashtëzakonshëm dhe të nivelit të lartë, prej të cilëve ka mësuar shumë, për shembull Bryn Terfel, Richard Jones, Angela Gheorghiu, Diana Damrau, Plácido Domingo dhe shumë të tjerë.
Në fund të intervistës, ai ka thënë edhe fjalë miradije për Italinë, e cila në këtë drejtim i ka dhënë shumë.
“Gjysmën e jetës sime e kam kaluar në Itali duke studiuar këngën në Konservatorin `Monteverdi` në Bolzano. Jetoj në Verona dhe jam shumë krenar që në vitin 2014, presidenti i Italisë më dha shtetësinë italiane. Megjithatë, Shqipëria është ende në mua. Unë jam dhe unë mbetem shqiptar me origjinë dhe karakter; Italian ndjehem me punën time, duke kënduar, që gjithashtu është jeta ime. Shqipëria përfaqëson zemrën, ndërsa Italia – artin”, ka përfunduar Saimir Pirgu.