Nisin xhirimet e filmit artistik “Emili”, me skenar dhe regji të Ajola Dajës

E mërkurë, 21 November 2018 14:44

Filmi artistik “Emili” ka nisur këto ditë xhirimet në Tiranë. Me skenar dhe regji nga Ajola Daja, filmi tregon një marrëdhënie dhune në familje, që shihet në sytë e dy femrave të shtëpisë. Një projekt kinematografik, i cili ka në role aktorë të njohur dhe bashkë me regjisoren Ajola Daja tashmë puna për filmin ka disa ditë që ka nisur. Edhe më parë në aktivitetin e saj me kinemanë regjisorja Ajola Daja ka treguar rreth punës me projekte të saj, por këtë herë ajo pohon se skenari për filmin nisi nga një histori dhune reale, që në realitetin tonë gjendet. Emra të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe ata me famë në botë janë bërë pjesë e filmit artistik “Emili”. Kjo përzgjedhje e regjisores Ajola Daja sjell në role aktorët Arta Dobroshi, Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja, Noel Miraka. Skenariste dhe regjisore, Ajola Daja tregon se filmi “Emili” sjell protagoniste kryesore aktoren e njohur kosovare Arta Dobroshi. Këtë herë ajo vjen me rolin e gruas së dhunuar, që kërkon një mënyrë për t’u larguar me të birin, që është gjashtë vjeçar. “Filmi shpalos raportet mes dy femrave në një familje të dhunuar, dhe pasojat që kjo dhunë lë pas për shumë gjatë. Aktorja kryesore është Arta Dobroshi, në rolin e Emilisë, gruas së dhunuar e cila kërkon të gjejë një mënyrë për t’u larguar me djalin e saj 6 vjeçar. Emili ndeshet me vjehrrën që luhet nga aktorja Luiza Xhuvani, e cila përpiqet ta ndihmojë, duke shkaktuar dhimbje. Lulzim Zeqja është në rolin e bashkëshortit dhunues (Robert) dhe djali i vogël Noel Miraka, në rolin e djalit të Emilisë”, shprehet Daja për personazhet e filmit. Regjisorja Ajola Daja tregon se puna për filmin ka nisur më shumë se një vit më parë. “Filmi “Emili” ka nisur para një viti e gjysëm, një marrëdhënie dhune në familje, e cila shihet nga sytë e dy grave të shtëpisë. Nisi nga një ngacmim, nga një histori dhune reale, të cilat nuk është e vështirë ti gjesh në realitetin tonë”, tregon regjisorja Daja, që këto ditë po zhvillon xhirimet në Tiranë dhe pritet të përfundojnë nga ditët e fundit të nëntorit. Një projekt me financim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, që sipas regjisores e ka vënë përpara një përgjegjësie jo të vogël për realizimin e filmit. “Pas aplikimit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, filmi nisi të vihej përpara përgjegjësisë dhe faktit, që shumë shpejt do të merrte frymë. Projekti “Emili” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kategorinë e filmit indipendent. Pjesa më e madhe e xhirimeve janë në Tiranë dhe pritet të përfundojnë në datë 25 nëntor”, vijon më tej për filmin regjisorja Ajola Daja.

Login to post comments