Ftohja globale, dhëmb po aq, në mos më shumë?!

E mërkurë, 21 November 2018 15:37

Krahas nxehjes globale, për të cilën, ka kohë që, bien kambanat e alarmit!
----- 
Bajram Sefaj

Që në fillim, një sqarim: në këtë shkrim të shkurtër, nuk është fjala për nxehjen globale, por për ftohjen globale! 
Mos të ngatërrohen nxehja, nga ftohja globale! 
Me përjashtim se që të dyja këto dy fenomene, në “qenien” e tyre, kanë të përbashkëtën – globale. 
Asgjë tjerët të përbashkët, as të afërt mes veti nuk kanë. 
Ta harrojmë ndërkaq, për një çast, (jo më gjatë!), nxehjen globale kur është një fenomen me shtrirje planetare dhe kërcënim i madh, kataklizmatik, për mbarë njerëzimin, nëse nuk i prehen dejtë (arteriet) burimeve të nxehtësisë që i krijon dorë e njeriut vetë. Merret vesh. Mos të zgjatët.
Në pak rreshtat në vijim, një si urbi et orbi, urimi për të gjithë banorët e planetit tonë, për festat e fundvitit, në shënjestër është, pra, një ftohje globale. Ftohjen mes njerëzve që, sikur merr përmasa planetare, njësoj (nëse jo e rrezikshme) është e dëmshme, sa e para, si nxehja globale. 
Akujt e shkrirë, në dy polet ekstreme, deri tash, përjetësisht të ngrira: arktik dhe antarktik, për pasojë të nxehjes globale, sikur kanë filluar të zënë cipë, me tendencë të shndërrimit në shtresë të trashë akulli midis qenieve njerëzore. Ftohjen midis njerëzve, dikur, jo shumë moti, sidomos ne, banorët e nën qiellit tonë, e merrnim si të keqe, ose si “sëmundje” të banorëve të veriut, të atyre që, njëfarë mënyre, jetojnë në brez kufitar, aty afër, me polet e ngrira. 
Jo, tashmë atë ftohje e ndiejmë edhe vetë dhe, sipas ritmit të shtrirjes saj të nxituar, gjithnjë e më hapa më të mëdhenj, do të merr përmasat planetare, me pasoja të paparashikuara. Ndoshta është paksa herët të bie zili paralajmëtar i një kobi të tillë, por, gjasat janë aty, janë midis nesh. Janë gjithnjë më shfaqeshe. Më të dukshme. 
Për të mos u end andej e këndej, me trastë a me thes argumentesh të tjera mbi supe, ja le te merret vetëm si një shembull ilustrues: festa gjithënjerëzore e Vitit të Ri, që gjithkund në botë kremtohet njësoj. Nuk kërkohet as mençuri, as mprehtësi e madhe, as memorie (historike), të kujtosh ditët, kur terë muaji dhjetor (mos të thuhet edhe ndonjë ditë para tij), vishej me rrobën e bardhë të kësaj feste. Letrat (kartëpostalet), me fjalët me të ngrohta që i shkrinin dhe akujt e Grendlandës, kryqëzonin mbarë Planetin, qanin qiejt, ecnin nëpër tokë, nëpër dete dhe nëpër oqeane bashkë e, në kohë të duhur, mbërrinin atje ku duhej, në destinacion të caktuar. Ku zemra e lypte zemrën, miku mikun, shoku shokun, i dashuri të dashurën, prindi fëmijën, fëmija prindin.... e kështu më radhë, me një fjalë të ëmbël–U r i m e!
Nuk lypse rrëshqitur hiç më shumë në pusin e se kaluarës, të kujtosh ditët e funddhjetorit, sidomos, kur e tërë bota jonë bëhej kerresh, (lëmsh) nga t‘ia mbaj e ku të tret për të pritë sa më mirë e sa me solemnisht, me gëzime plot zemrat e me të mirat plot sofrat, vitin e ri mjekërbardhë. Kur nuk mjaftonte hapësira hoteliere vendase, gjithandej në zgëqe të hirshme turistike, nuk ishin raste të rralla kur shkohej edhe në vende të preferuara e miqësore fqinje. Pas një tokje gotash (edhe në mos qofshin të kristalta, edhe në mos qofshin plotë shampanjë shkumëbardhë), nuk ngurrohej të ndërrohej hap e shkohej edhe larg, qoftë edhe përtej mundësive tona, sado të kufizuara që ishin. (Festa e natës se vitit të ri, sikur në vete kishte një rit mitik, sikur të ishte një natë e madhe, natë katarsisi, natë faljeje mëkatesh e gjynahesh të ndërsjella njerëzore!). Duke mos harruar, për asnjë çast programet e larmishme televizive enkas për këtë natë feste mbarënjerëzore. (Paksa më të moshuarve, sidomos, u kujtohet shumë mirë, kur pritja e vitit të ri organizohej edhe në sallë të kinemasë. Kur për nder të kësaj feste, brenda natës më të gjatë të motmotit, shfaqeshin jo një, por madje dy filma, njeri pas tjetrit, sa do që ishin me shumë minuta!). 
E si është sot, në krahasim me dje a pardje? 
Nuk është kurrqysh. Krejt pak (ose hiç) urime e përshëndetje me postë, shumë pak atmosferë festive. Me përjashtim të disa e-mailave të pashpirt që shpërndajnë edhe urime në adresë të panjohur, si plumba qorr të ishin. 
As në hotelet e qyteteve tona më të mëdha, duke filluar nga Prishtina, Tirana e gjetiu, as në hotelet dhe motelet e pikave tona strategjike (turistike) as tani, kur festat e fundvitit i kremtojmë e i presim me liri e pavarësi, nuk marrin mundin të bëjnë diç më shumë që muzikë të kallet gjithandej e mos të praj tri ditë e tri net, hiç pa ia nda... 
Sido qoftë, URIME (me shkronja të mëdha) U R I M E festat!

Artikuj të ngjashëm

Login to post comments