Koreodrama “Kumt” shfaqet për publikun në Tiranë

E Enjte, 22 November 2018 15:41

Në “arTurbina” mbrëmë u shfaq koreodrama “Kumt”. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” solli premierën e re “Kumt” edhe në Tiranë. Me regji dhe koreografi nga Gjergj Prevazi, koreodrama erdhi në skenë në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Premiera me regjinë e koreografit Gjergj Prevazi ishte premierë më  26 shtator në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Kumt” e punuar nga koreografi Prevazi, është nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt. Muzika është realizuar nga Valton Beqiri, ndërsa kostumografia për këtë shfaqje me artistët e ansamblit “Shota” nga Vesa Kraja. Kritiku i artit prof. Josif Papagjoni shkruan për këtë vepër se ajo spikati në skenë. “Kur kjo është e arrirë, e pjekur, ti vjen edhe të dytën herë, edhe të tretën herë e më tej, sepse diçka të re pikas në interpretim, konceptin koreografik, valle, muzikë etj. Unë mbeta serish i emocionuar dhe i këndellur nga tema e kapur, epoka e madhe e Skënderbeut, kaq bukur e ideuar në vitin e Skënderbeut si 2018; më begatonte simbolika e figurës së tij e kthyer në mit dhe nord orientimi për kombin tonë etj”, shprehet Papagjoni.

Sipas tij, ky subjekt me mjetet e baletit erdhi si një ravijëzim i holle, jo si një subjekt i plotë, koherent dhe i tërësishëm. “Krijuesit kishin parapëlqyer formën e një mikseri, një farë tabloje koreografike, ku gërshetoj një koncept koreografik përmes një subjekti nga jeta dhe vepra e heroit me një paketë këngësh dhe vallesh popullore nga gjithë trevat folklorike shqiptare. Dhe kjo u përligj bukur si pjesë e Dasmës së Skënderbeut. Sa qemë në sallë ne na rrëmbyen këngët dhe vallet e bukura dhe i shoqëruam me entuziazmin tonë, duke kënduar, rrahur ritmikish shuplakat dhe duke krijuar një ndërkomunikim aktiv skenë-sallë” vijon më tej kritiku Josif Papagjoni. Më tej ai shton se vlerë të veçantë i shtoi shfaqjes edhe kostumografia e Vesa Krajës. Por dhe koreografia sipas kritikut të artit prof. Josif Papagjoni kishte dy episode kuptimplotë. “Sakaq, përtej një tërësie të menduar mirë, koreografi Gjergj Prevazi kishte ndërkallur në trupin e shfaqjes dy episode kuptimplotë të një mendimi e konotacioni sa simbolik, aq dhe domethënës në rrafshin e asaj çka Gjergj Kastrioti bëri me popullin e vet dhe luftëtarët e tij”, shprehet kritiku Papagjoni.

3790b42019.jpg

Login to post comments