“Ditët e Albanologjisë”, 3 ditë kushtuar identitetit shqiptar

Premte, 30 November 2018 14:24

Akademia e Studimeve Albanologjike organizon edicionin e IX të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë”.

Këto veprimtari do të zhvillohen në datat 3, 4 dhe 5 dhjetor 2018, duke filluar nga ora 10.00. Në datën 3 dhjetor në ambientet e sallës “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të zhvillojë punimet konferenca shkencore me temë: “Skënderbeu dhe epoka e tij”.

Me datë 4 dhjetor, në sallën “Kostandin Shpataraku”, të Muzeut Historik Kombëtar do të zhvillojë punimet konferenca me temë: “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri”. Gjithashtu, po në datë 4 dhjetor, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të bëhet prezantimi i botimeve të reja, të realizuara gjatë vitit 2018, nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Në datë 5 dhjetor, duke filluar nga ora 12:00 në mjediset e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit do të mbahet ekspozita “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”, me kuratore Afërdita Onuzi dhe Ermela Broci. Po këto ditë në një tjetër aktivitet, në ligjëratën e radhës, Afërdita Onuzi do të flasë për punimin e drurit dhe gdhendjen e tij në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ajo do të bëjë një paraqitje të hollësishme të tipologjisë së punimit të drurit, duke filluar nga zbukurimet e tavaneve, deri tek objektet e përdorimit të përditshëm, si: vegla pune, enë kuzhine etj.

Krahas kërkimit në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj., rëndësi të posaçme në punën e ASA marrin hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar.

Login to post comments