Kosovë, historitë e vërteta të grave përmes shfaqjes ”Copë Copë”

Tuesday, 11 December 2018 16:04

Shfaqja ”Copë-Copë” vjen sonte në mbrëmje për publikun kryeqytetas në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Copë Copë” bazohet në ngjarje të vërteta të grave në Kosovë, një grua mbijetuese e dhunës në familje është edhe performuese në skenë së bashku me aktorët që interpretojnë në shfaqje. Aktorët janë Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Skena të dhunës në familje, martesës me dhunë, abortit me probleme shëndetësore dhe stigmatizimit lidhur me çështjet e adoptimit paraqesin format e ndryshme të dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare. Në të njëjtën hapësirë dhe kohë, aktorët dhe mbijetuesja gjejnë forcën dhe solidaritetin për t’u përballë me realitetin dhe për të vazhduar përpara.

“Copë Copë” është krijuar në vitin 2015 dhe është prezantuar tri herë në Prishtinë, një herë në Ferizaj dhe në Kukaj në EtnoFest ku është shpërblyer me tri çmime. Si dhe në kuadër të turneut rajonal është prezantuar edhe në Gostivar në festivalin teatral “Othelo”, në Beograd në festival “Mirëdita, Dober Dan”, në Shkodër në teatrin “Migjeni”, në Zagreb – Ditët e kulturës shqiptare.

Shfaqja vjen sonte në orën 19:00 në sallën Goethe të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. 

Login to post comments