Viktor Zhusti rikthehet pas 47 vitesh prezantues në Festivalin e RTSH

E mërkurë, 12 December 2018 14:05

Festivali i 57 i Këngës në RTSH do të prezantohet nga Viktor Zhusit dhe këngëtarja Ana Gojla, por në skenë i ftuar vjen dhe kantautori i njohur shqiptar Ermal Meta. Festivali i Këngës në RTSH do të zhvillohet mbrëmjet e datave 20, 21 dhe 22 dhjetor në skenën e Pallatit të Kongreseve, por sipas organizatorëve është hera e parë që në skenë vjen si i ftuar një fitues i Sanremos. Drejtorja artistike sopranoja Inva Mula u shpreh festivalin e bën të bukur krijimtaria në këngë, por dhe pjesëmarrja e kantautorit Ermal Meta është një moment i veçantë. “Në fakt surprizat nuk e bëjnë festivalin. Festivalin e bën një krijimtari e bukur, një estetikë e bukur, një prezantim i bukur, ky është thelbi. Sigurisht që i ftuari është si qershia mbi tortë dhe ne me buxhetet tona duhet të kemi kujdes me ata që ftojmë, sepse dëshirat mund të jenë të ndryshme. Ajo që mund të them për Ermal Metën, është se ai ka vendin më të bukur. Vjen si fituesi i festivalit të Sanremos, që është festivali mitik e shembull i të gjithë festivaleve. Është hera e parë që në festivalin tonë vjen një fitues i po këtij viti i festivalit Sanremo, që fatmirësisht është Ermal Meta, një shqiptar, që iku në Itali si emigrant dhe sot është një këngëtar me një axhendë të ngjeshur, me mbi 300 koncerte të zëna aktualisht”, u shpreh sopranoja Mula, për kantautorin Ermal Meta që do të jetë në skenë natën e parë të festivalit. Aktori Viktori Zhusti tregon se rikthehet pas 47 vitesh, pasi ka prezantuar festivalin e 10-të, së bashku me aktoren Edi Luarasi. “Mendova që pas 47 viteve të vish sërish në skenën e festivalit, një festival që nuk ka asnjë lidhje qoftë në organizim qoftë në konceptim me atë të 47 viteve më parë dhe m’u duk me shumë interes. Në festivalin e 10-të kam qenë bashkë me kolegen time Edi Luarasi. Edi Luarasi ishte një yll që kaloi në skenën shqiptare, këngëtare, aktore me një bukuri dhe inteligjencë të veçantë së cilës në këtë rast megjithëse ka problem shëndetësore i uroj të ketë sa më shumë shëndet, uroj të jetë gjithmonë mirë, sepse nga yll është shndërruar në një meteor që kaloi në qiellin shqiptar. Kur më thanë për festivalin e 57-të u emocionova”, tha Zhusti.

IMG_9757.jpg

Login to post comments