Ministria e Kulturës, në kuadër të vitit 2018, shpallur nga qeveria “Viti mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, në bashkëpunim me Teatrin e Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, organizon dhënien e çmimeve të “Konkursit Mbarëkombëtar të Krijimtarisë Muzikore” në zhanret e mëdha të muzikës skenike: opera, balet dhe muzikal.
“Ky konkurs synon të zhvillojë krijimtarinë muzikore dhe të nxjerrë në pah talentin, artin dhe frymëzimin e artistëve në këto gjini dhe kërkon të inkurajojë artistët në këto gjini të muzikës skenike, duke promovuar kreativitetin, afirmimin dhe dialogun në botën emocionuese të Muzikës, në një konkurs mbarëkombëtar”, bën me dije ministria e Kulturës.
Në zhanrin e muzikës skenike opera merr pjesë në konkurs Vasil S. Tole me “Skënderbeu Kryezoti i Arbërit” me libret të Theofan Stilian Nolit.
Në zhanrin e muzikës skenike balet merr pjesë në konkurs Fatos Qerimaj me ”Jehona e Skënderbeut” me libret të Petrit Rukës. Po ashtu në zhanrin e muzikës skenike balet merr pjesë në konkurs Jetmir Zaganjori me ”Balet Ballkan Exspres” me libret të Stefan Çapalikut.
Përfaqësues aktiv i brezit të ri të kompozitorëve shqiptarë, Vasil S. Tole është nismëtar i alternativave të reja krijuese dhe si një ndër mbartësit më të vendosur të konceptit të ristrukturimit të lëndës muzikore folklorike shqiptare, në dobi të gjetjes së identitetit dhe risive në muzikën bashkëkohore.
Fatos Qerimaj është diplomuar në klarinetë si dhe ka ndjekur studimet ne kompozicion me profesor Çesk Zadeja në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Shqipëri në vitin 1982. Mban titullin profesor dhe aktualisht punon si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Fatos Qerimaj ka një karrierë shumë të pasur artistike jo vetëm në koncerte solistike në klarinetë, por edhe si kompozitor.
Fillimet e jetës muzikore Jetmir Zaganjori ishin në instrumentin e pianos në moshën 6-17 vjeçare në liceun artistik ”Prenkë Jakova” Shkodër. Në vitin 2012 fillon studimet e larta në Bachelor në Fakultetin e Muzikës pranë Akademisë së Arteve, në klasën e prof. Vasil S. Tole. Në vitin 2014 merr pjesë në dy koncertet e studentëve të kompozicionit ku paraqitet me variacione për piano me përpunimin e temës popullore ”Dashnor t`u bana” dhe ”12 variacione”.
Ministria njofton se veprat do të ndiqen në natën e madhe të ndarjes së çmimeve në ”arTurbina” në datën 14 dhjetor – ora 19:00.