Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, në prag të festave të fundvitit, ka përgatitur shfaqjen për fëmijë “Pinoku” të autorit italian Carlo Collodi, nën regji të Melihate Qenës.
Ky projekt teatror që do të jepet premierë sonte (e mërkurë) është oferta për nxënësit e ciklit të ulët të të gjitha shkollave fillore të Komunës së Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo nismë, sipas drejtuesve të këtij teatri, është duke u realizuar me Drejtorinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, dhe për synim ka afrimin e fëmijëve dhe njohjen e tyre me teatrin.
“Dhënia e shfaqjes ‘Pinoku’ për fëmijët është vendosur të realizohet në repertorin e vitit 2018 për shumë arsye. Por një nga arsyet kryesore është afrimi i fëmijëve me teatrin, prekja direkte e teatrit nga fëmijët. Kjo vepër e luajtur nga aktorët profesionistë të Teatrit të Qytetit, pos që e rrit nivelin artistik të shfaqjes, po ashtu ndikon drejtpërdrejt te fëmijët kur e shohin atë”, ka thënë drejtori i këtij teatri, Fetah Paçarizi.
“Pinoku” në teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” vjen pas dy shfaqjeve të realizuara gjatë këtij vitit për audiencë më të gjerë.
Paçarizi ka thënë se shfaqja do të vazhdojë në ditët në vijim sipas orarit të përcaktuar me shkollat, në dy terminë në orët e mesditës.
Sipas tij, ky projekt ka marrë mbështetjen e DKA-së, DKRS-së dhe të kryetarit të Komunës, dhe është i pari i këtij lloji në ekzistencën e teatrit profesionist të Prizrenit.
“Pinoku” do të jetë në repertorin tonë edhe në vitin 2019, derisa të ketë kërkesa nga fëmijët, ka deklaruar drejtori i TQ “Bekim Fehmiu”.