Në Muzeun Historik Kombëtar u promovua mes studiuesish, diplomatësh dhe dashamirësh, libri “Naltësimi i Iskanderit” shkruar prej ish-kryeministrit të njohur britanik Benjamin Disraeli dhe sjellë në gjuhën shqipe nga Mal Berisha.
Për të folur mbi këtë libër ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, profesor Bardhyl Musai, botues, Mal Berisha, përkthyes i veprës “Naltësimi i Iskanderit” studiues, ish-ambasador.
Të pranishmit shprehën vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e tyre mbi librin “The Rise of Iskander” botuar në vitin 1833 nga Benjamin Disraeli, i cili përveç karrierës së tij në politikë renditet ndër njerëzit e shquar, edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në drejtues shteti.
Novela “Naltësimi i Iskanderit” është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët po fillonin zgjimin e tyre kombëtar dhe figura e Iskanderit ishte pishtari ndriçues në udhën e nisur.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se autori përshkruan takimin e Skënderbeut me Huniadin dhe marrëveshjen që ata bënë për të mbrojtur krishtërimin; marrja e fermanit nga mëkëmbësi i sulltanit dhe përdorimi si dokument para guvernatorit turk të Krujës për lëshimin e qytetit pa luftë etj. “Të gjitha këto elemente e bëjnë novelën e Benjamin Disraelit shumë aktuale për lexuesin shqiptar, duke menduar se vepra është shkruar në vitin 1833 dhe shkrimtari e dinte aq mirë historinë e lavdishme të Skënderbeut”, përfundoi Dorian Koçi.