Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore Onufri, nuk do të jetë më. Galeria Kombëtare ka vendosur ta mbyllë në kuadër të rikonceptimit të rolit të galerisë. “Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik”, thuhet në deklaratën për shtyp të Galerisë.
“Onufri” u krijua në fund të viteve ‘90-të si një domosdoshmëri e kohës, që do të mundësonte shkëmbimet mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar artin e ri bashkëkohor të skenës vendase në kushtet e mungesës së plotë të institucioneve apo iniciativave të pavarura. Për këtë arsye, për vite me rradhë “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike. Me kalimin e viteve skena është pasuruar edhe me një numër në rritje iniciativash të pavarura që gjithmonë e më shumë kanë për qëllim shkëmbimin mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.
“Nga ana tjetër, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës. Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori. Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vet vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë”, thuhet në deklaratë. Ky aktivitet që fillimisht lindi si një nevojë për të rritur ndërveprimin mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e tij.
Zhvillimi i situatës artistike në vendin tonë, por edhe zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor në përgjithësi, nuk përkojnë më me formën e organizimit dhe strukturën që “Onufri” ka ndjekur gjatë viteve. Anëtarët e Bordit Artistik dhe drejtori i GKA-së z. Erzen Shkololli kanë ndarë mendimin se GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune që do të jetë në hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë. GKA duhet të zhvilloj veprimtaritë e saj të rradhës të cilat prezantojnë sa më mirë artistët në ekspozita ndërkombëtare tematike e të kuruara, dhe që vijnë si rezultat i një pune të pasur kërkimore. Ky rikonceptim i programit artistik synon që ta kthejë Galerinë në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar.
Bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga 7 anëtarë, si më poshtë vijon: Eleni Laperi (Kryetare), Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj, Xhoana Agolli. Anëtarët e këtij Bordi ranë dakort për mbylljen e “Onufrit” gjatë mbledhjes së tyre më datë 11.12.2018, me Vendim nr. 308/2. Ministria e Kulturës shprehu dakordësinë e saj mbi këtë vendim, në respektim të pavarësisë së gjykimit të Bordit Artistik të Galerisë Kombëtare e Arteve.
Piktori Gazmend Leka shprehet se prononcimin e parë duhet të bënte Ministria e Kulturës. “Ka kohë, që në rrethet e artistëve, qarkulloi fjala se “Onufri” do të mbyllet për vitin 2018. Fillimisht, e perceptuam si një thashethem, por mesa duket, ka qenë një lajm i vërtetë edhe për faktin, se nuk ka ndonjë prononcim zyrtar. Këtë prononcim duhet ta bënte Ministria e Kulturës, pasi në fillimet e kësaj ekspozite-konkurs, ishte iniciatore dhe përgjegjëse vetëm kjo ministri. Galeria Kombëtare e Arteve luante rolin e pritësit, me sallat dhe stafin, ashtu siç mund të ishte në vendin e saj dhe ndonjë institucion tjetër me salla ekspozimi. Për kujtesë, “Onufri” një herë u organizua në ambientin gjigand të ekspozitës “Shqipëria Sot””, pohon ai. Për piktorin Gazmend Leka, GKA edhe nëse nuk ka lidhje me këto ekspozita i takon Ministrisë së Kulturës të përgjigjet për artistët. “Dalëngadalë, u rrënjos në mentalitetin e artistëve, se për “Onufrin” kishte përgjegjësi GKA dhe vit pas viti, ky institucion filloi të merrte vete përgjegjësinë si organizator i vetëm i këtij aktiviteti. Për mendimin tim, GKA nuk ka asnjë lidhje me këto lloj ekspozitash, pasi ka detyra parësore shumë më të rëndësishme si konservimi dhe ekspozimi i vlerave kombëtare, që flenë prej kaq vitesh në fondin e saj. E megjithatë, siç erdhi puna, Ministria e Kulturës duhej të shpallte zyrtarisht arsyen për mbylljen e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm sëbashku me GKA. Pa informacion, ne si artistë nuk na ngelet gjë tjetër, veç të reagojmë edhe njëherë dhe ti kujtojmë këtyre institucioneve, që mënyra si veprojnë, tregon paaftësi, të veshur me një prepotencë si prej të forti të lagjes”, shprehet piktori Gazmend Leka.
Kurator arti Andi Tepelena thekson se në institucionet e kanë detyrim ligjor të reagojnë për “Onufrin”. “E kanë detyrim ligjor dhe institucional të bëjnë të ditur mungesën e arsyes për moszhvillimin e “Onufrit”, dhe nuk ka asnjë lloj justifikimi. Drejtori i GKA nuk ka bërë asnjë lloj transparence dhe komunikimi, dhe kjo është dhe ofenduese për të gjithë komunitetin e artistëve, por dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësi, duhet të kishin dalë me një reagim zyrtar. E kanë detyrim të japin shpjegime, sepse paguhen me taksapaguesit shqiptarë. Me keqardhje e them se po mbyllet qëllimisht një derë për skenën e artit bashkëkohor, alternativ. Nuk e kuptoj këtë arrogancë, këtë mbyllje hermetike ndaj komunitetit të artistëve”, shprehet kuratori Andi Tepelena. Piktori Mikel Temo e sheh si një aktivitet më pak në artet pamore. “Ata që presin për këtë aktivitet, që të zhvillohet mbetën në pritje. Akoma nuk e di saktësisht njeri se çfarë ka ndodhur. Mungesë transparence, asnjë komunikim, asnjë informim zyrtar që “Onufri” është mbyllur. Me mbylljen “Onufrit” u mbyll dhe e vetmja dritare për t’u përfaqësuar arti bashkëkohor se çfarë bëjnë artistët. Ky aktivitet ishte i organizuar nga shteti, ka aktivitete të tjera por nuk kanë impaktin e GKA”, vijon Temo. Piktorja e re Ila Selo shprehet që duket sikur institucionet po luajnë me artistët. “Më vjen vërtetë keq që me “Onufrin” bëhet një lojë e tillë. Ka disa vite që dëgjohen zëra dhe bëhen veprime që artistët me emër, por edhe ata të rinjtë nuk u lejohet i vetmi vend, institucion artistik të krijojnë dhe ekspozojnë veprat e tyre. Nuk e di në është çështje politike apo ku qëndron hallka e problemit, po di se artistëve po ju vritet një e drejtë legjitime. Një popull që të eci përpara duhet të ushqehet me dije dhe kulturë. Kjo kulturë merret me art. “Onufri” është i ne artistëve, duhet rritur dhe krijuar më gjerësisht”, shprehet piktorja Selo. Në rregullore thuhet se ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore “Onufri” realizohet nga GKA nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.