Piktorët, peticion Ramës: “GKA nuk është pronë private e Erzen Shkolollit!”

E mërkurë, 09 Janar 2019 10:28

Artistët shprehen se mbyllja e dyerve, që ka bërë Galeria Kombëtare e Arteve për ata është e papranueshme. Në reagimet e tyre piktorë të njohur shprehen se drejtori i GKA Erzen Shkololli nuk mundet ta konsiderojë institucionin si pronë private, por përgjegjësi për këtë situatë sipas tyre ka dhe ministrja në largim e Kulturës Mirela Kumbaro. Piktorët Sadik Kasa, Adrian Devolli dhe Robert Përmeti pohojnë se GKA i përket artistëve dhe jo titullarit të institucionit.  Piktori Sadik Kasa tregon se nëse drejtohet një artist në GKA asnjëherë nuk është pritur deri tani nga drejtori Shkololli për kërkesat që kanë. “Për ne si artistë janë të papranueshme këto që po ndodhin në GKA. Atje shkon një artist të kërkojë të takojë titullarin e saj Erzen Shkolollin për problemet, por ai se pret. Por një artist dhe te presidenti po të dojë të shkojë për ta takuar e pret, ndërsa në GKA nuk është e mundur. Një drejtor i GKA që deri tani ai nuk ka pritur asnjë nga ne. Gjatë vitit që kaloi aktiviteti i GKA ka qenë vetëm tre ekspozita, që i ka bërë ai vetë. Atij si kërkon njeri llogari fare se çfarë bën”, pohon piktori Sadik Kasa. Sipas tij ndërsa personave anonimë iu jepen sallat në GKA piktorët në Shqipëri janë të detyruar të shkojnë të Muzeun Historik Kombëtar. “Ne jemi tre shoqata piktorësh, që është “Pleineri”, “Nëntori” dhe “Brezat” dhe i bëjmë aktivitetet në Muzeun Historik Kombëtar pa kushte te salla. Ndërkohë që personave që janë dhe anonim për ne në GKA i vihet salla në dispozicion për 3 muaj. Këto gjëra nuk mund të rrinë në dorë dhe dëshirë të individëve, por duhet të jenë të përcaktuara çfarë duhet në GKA”, vijon Kasa. Piktorët të grupuar në grupet si “Nëntori”, “Pleiner” apo dhe “Brezat” kërkojnë që të përcaktohet qartë statusi i GKA. Piktori Sadik Kasa tregon se ka nisur puna dhe për hartimin e një peticioni, që do ti drejtohet dhe kreut të qeverisë, por dhe ministres së Kulturës. “Ne duam të përcaktohet statusi i GKA, është muze arti me një fjalë që ruhet linja dhe vlerat muzeale apo është galeri do të jetë e hapur me ekspozita? Kush janë kushtet që duhet të plotësojë një artist për të qenë në sallat e GKA? Si zgjidhet bordi në GKA? Pse nuk ka transparencë dhe kush e zgjedh? Në parim me këto që them janë të gjithë dakord dhe ne do të fillojmë të punojmë për hartimin  e peticionit, do të mbledhim firmat dhe do t’ia dorëzojmë ministres së Kulturës dhe kryeministrit”, pohon piktori Sadik Kasa.

Login to post comments