Shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut është vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Pukës.
Përmendorja e heroit kombëtar u zbulua përmes një ceremonie të veçantë organizuar nga bashkia e Pukës, e cila mundësoi veprën e artit falë dhe mbështetjes së biznesit.
Kreu i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj e konsideroi këtë një vlerë të shtuar të qytetit, teksa tha se Puka nuk është ai xhepi i harruar i Shqipërisë.
“Ngritja e shtatores së heroit tonë kombëtar nga sot do të qëndrojë në Pukë si një simbol i kujtesës për kalvarin e gjatë të vuajtjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt lirisë. Vjen si simbol i bashkimit dhe unitetit, që ka karakterizuar gjithnjë pukjanët. Prandaj ne me respekt përkulemi përpara shtatores së prijësit tonë që të sjellim në kujtesë trimëritë e pashoq të këtij burri që në histori janë të rrallë”, theksoi Gjonaj.
Skulptori Ardian Pepa në fjalen e tij falënderoi bashkinë e Pukës për besimin e treguar teksa u ndal tek puna e bërë për veprën e radhës që tashmë qëndron në qytetin e Pukës.
Përmes kumtesave të tjera u soll në kujtesë jeta dhe vepra e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti .
Shtatorja e Skënderbeut qëndron në sheshin e qytetit të Pukës në unison dhe me emblemën e Besëlidhjes duke i dhënë sheshit të qytetit malor ngjyrat patriotike që i takojnë një krahine si Puka.