Vlorë, ekspozitë dokumentare për jetën dhe veprën patriotike të Ismail Qemalit

Premte, 18 Janar 2019 15:23

Një ekspozitë dokumentare u çel sot në qytetin e Vlorës me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të Atit të Kombit, Ismail Qemal Vlora.

Dokumenta arkivore, botime historike dhe letrare, shtypi i kohës për jetën dhe veprimtarinë patriotike të Ismail Qemalit u ekspozuan në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” të bashkisë së Vlorës.

Në këtë ekspozitë, që është në kuadër të programit të aktiviteteve të bashkisë dhe Qendrës së Kulturës, janë paraqitur disa nga momentet më pikante të përkujtimit dhe festimit të 28 nëntorit, siç është 28 nëntori i vitit 1932 kur u zhvendos trupi i Ismail Qemalit nga Kanina në lulishten e Vlorës në varrin monumental të ndërtuar posaçërisht me statujën e flamurit sipër, vepër e Skulptorit të Popullit Odise Paskali.

Gjithashtu në këtë ekspozitë janë ekspozuar dokumentet e shpalljes së Vlorës “Qytet Hero” me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë dhe dhënies së Ismail Qemalit titulli “Hero i Popullit” (pas vdekjes) dhe kthimin e Vlorës, Kryeqytet të Shqipërisë për 3 ditë, apo festimi i 60 vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1972 me përurimin e Monumentit të Pavarësisë Kombëtare etj.

Ekspozita u vizitua sot nga nxënës të shkollave të qytetit, të cilët u njohën me figurën e Ismail Qemalit.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në 24 janar 2019.

Login to post comments