Tomorr Kotarja vjen me vëllimin e dytë me poezi “Stuhi Yjesh”

Premte, 18 Janar 2019 19:25

Poeti Tomorr Kotarja promovoi vëllimin e dytë me poezi “Stuhi yjesh”. Në Pallatin e Kulturës në Kamëz ishin të pranishëm shumë personalitete nga fusha të rëndësishme të jetës politike dhe jo vetëm. Kryebashkiaku Mziu i pranishëm vlerësoi aktivitetin por dhe autorin Tomorr Kotarja për risinë qe solli për lexuarin duke i uruar suksese jo vetëm ne krijimtari por dhe ne fusha te tjera. Të pranishëm në këtë promovim ishin edhe autorë, shkrimtarë, deputetë, dhe artdashës të shumtë. Pallati i Kulturës Kamëz, tashmë është kthyer një arenë të aktiviteteve me vlerë të pakrahasueshme promovimesh të veprave artistike. Vlerësimet ishin të shumta për poetin. Në fjalimet e tyre të gjithë kishin një të përbashkët, vargjet e vëllimit Stuhi yjesh, ishin interpretuar në ëndërr, në shpirtin e tyre. Pas vëllimit të parë “Lajme nga Dielli”, kësaj radhe Tomor Kotarja ka zgjedhur të jetë më shumë guximtar.

“Ka të bëjë më shumë me mënyrën sesi e njoh unë dimensionin e jetës. Mënyrën sesi e shoh në të vërtetë dhe ndoshta kjo mund të jetë një element i cili ka vëzhguar disa gjëra të cilat të shprehura përmes poezisë mendoj se mesazhi përcillet më shpejt, me qartë dhe ai muri i shurdhër i politikës në tërësi nuk do ta bënte”, thotë Kotarja. Kontrasti me vëllimin e dytë është shumë i thellë, në disa poezi vjen si fllad dhe në disa të tjera si stuhi. Shpirti i tij poetik ka marrë shkas nga përvoja personale. Interesi i jashtëzakonshëm nuk ka surprizuar vetëm poetin por edhe personalitete të jetës publike. “Do përpiqem të vazhdoj të shkruaj për mënyrën sesi e sheh jetën Tomorr Kotarja”, shprehet poeti. Racionaliteti në poezinë e tij kapërcen dukshëm hendekun e revoltës që vjen nga realiteti i ngjarjeve të kohës.
Shkrimtari Ylli Xhaferi duke e vlerësuar krijimtarinë e Tomor Kotares ne ceremoninë e rastit tha: -“Në librin e ri poetik “Stuhi yjesh” të Tomorr Kotares lexuesi gjen hipotekën e dhimbjeve dhe dashurive, si individ, brez por dhe më gjerë. Oktavio Pazz shkruante: “…Poeti nuk është as orator dhe as predikues.”, por Tomorri duke i paguar sadopak haraç qoftë njërit dhe qoftë tjetrit na dhuroi të gjithëve këtë liber, ku si poet me mirësinë e intuitës, me dëshirën për të bukurën, me ëndërrimin për të ardhmen e ndritur, nuk rrok gjëmën por këngën, nuk shkatërron por ndërton, nuk fyen por fisnikëron, nuk vajton fatin e mbrapshtë të këtij tranzicioni-avaz tragji-komik por rikrijon profilin e bukur të ardhmërisë, nuk përdor fjalorin zemërak e dështak të politikës por përzgjedh gjuhën balsam të fisnikërisë së muzës.
Poeti Tomorr Kotarja është përjetues i vetëdijshëm i gjendjeve që përjeton njeriu shqiptar bashkëkohës, tradicional, historik dhe i së ardhmes, gjendje që priren nga thellësia e dilemave, tragjizmi i së shkuarës totalitare, qëndresa epokale malësore, bukuria e natyrës, mençuria e njerëzve të thjeshtë, shndërrimi biblik i tyre nëpër metropolet e Evropës dhe Amerikës ku gjejnë vetveten si qytetarë të dorës së parë. Tomorri është një shpirt i ndjeshëm, një shpirt i lirë, që e përjeton kohën shumëfish i gjallë. Uni i tij poetik strehohet tek të tjerët për të qenë komod me vetveten. Shqetësimi i dy kohëve nëpër të cilat ka jetuar intensivisht si qytetar, intelektual dhe luftëtar i fjalës dhe mendimit të lirë është shqetësimi i tij i përhershëm, madje që dhe i ka hije. Tomorri bëhet gjithmonë me ato që vuajnë, kështu që lufton humbjen, shpalos Njeriun, humanizmin e tij të lartë.
Poezia e tij është e vërtetë, e sinqertë, e ndershme, e thjeshtë. Ai trajton temat universal, shpirtin e lirë, madhështinë e vendlindjes së atit, gjyshin, fisin,  kulla mbetet lavdia e gjyshit: (…Gjyshi im i mirë rrokur me lirinë \ Në Kalis ku lind dielli dhe hëna / Mbi Kalis ku Zoti ka shtëpinë…), ku kullosin kujtimet e panumërta të fëmijërisë, dashuritë, trimëritë, gjëmat, hiret e dasmave dhe tragjizmi i mortit. Poeti është në kërkim të përhershëm, ndjek dhe paraprinë kohën e tij. Krijimtaria poetike e Tomorr Kotares është dëshmi e gjallë e pasqyrimit natyral të shpirtit të odës së burrave të krahinës inkandeshente të Lumës, vendlindjes së tij, simetrisë dhe bukurisë së Kalisit, ai ka mbledhur në vargje nektarin e shpirtrave të tyre, madje edhe më gjerë akoma: (….Mos më thuaj paske harruar / Bjeshkën e Lumës, të Sorokolit / Fyellin e Korabit në pranverë / Besën e nderin e malësorit…). Tomorri si poet nuk mundohet për të shpjeguar gjithçka me ndihmën e poezisë, por gjithçka e vesh me poezi, me dashuri, e lan me diell dhe e spërkat me vesën e shpirtit të tij të ndjeshëm. E folura alegorike elitare e kalisjanëve, ( llafi nën mtaf ) shprehshmëria e tyre e figurshme, mençuria natyrale e njerëzve, fjalori i pasur i shqipes së vjetër që atyre anëve ruhet me fanatizëm, peizazhi i mrekullueshëm bekuar nga Zoti vetë: Korabi, Veleshica. Drini i Zi. Lura, siç shprehet Tomorri : (“…Kalisi varur në shpat të malit \ Si një degë lisi \ Si një krah pëllumbi \ Sy më sy Kalisi…”) Tomorri plot krenari nuk mungon të poetizojë sintezën e historisë së lavdishme të krahinës së tij ku figura luftëtarësh kundër pushtimit turk si Mahmut Daci kishin bërë epokë: “…koka në Turki / trupi në Kalis…”, që kishte qenë himni i luajtur me sharki e çifteli nga fëmijëria e hershme, lufta me shkjaun (serbin) ku në Kep të Lashit ishin masakruar 90 kalisjanë, etj. Të gjitha këto kanë hyrë natyrshëm në shqetësimin e poetit. Me anë të poezisë së tij, Tomorri ka nisur nëpër njohje të reja lavdinë e krahinës së tij, emrin e vet, lulet e shpirtit të tij të ndjeshëm. Patsh botime të reja, miku im, Tomorr!”.

Login to post comments