Muzika shqiptare humbi një nga krijuesit më të mirë të saj. Kompozitori Kozma Lara u shua në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të çmuar në historinë e muzikës shqiptare. “Muzika në përgjithësi që unë e barazoj me tinguj merr jetë sikur të jenë një ose dy tinguj. Ata bëjnë shumë jo vetëm në sferën intelektuale, por edhe në atë të gjallën.
Të dyja sëbashku komunikojnë me njëra tjetrën dhe na japin pikërisht atë madhoren, atë që mishërohet në një vepër qoftë e vogël ose e madhe”, do të shprehej ai në një intervistë pak kohë më parë. Autor i shumë krijimeve muzikore, kuartete, trio, romanca, rapsodi, këngë për fëmijë etj, Lara u lind në Durrës më 4 janar 1930. Mësimet e para në piano, i kreu me Profesor Tonin Guraziun. Në vitet 1946-49 mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme "16 Shtatori" në Durrës.
Ndoqi më pas, Liceu Artistik Jordan Misja në Tiranë, ku dhe u diplomua në degën e pianos me Prof. Tonin Guraziu në vitin 1954. Në vitin 1958 studioi në Konservatorin P. Iliç. Çajkovski në Moskë, në degën e Kompozicionit, student i Profesorit Sergey Artem’yevich Balasanian. Gjatë këtyre viteve ka kontribuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë si Koncert Maestër dhe në Shkollën e Mesme të Muzikës Mujo Ulqinaku-Durrës. Nga viti 1964 – 1972 kontribuoi si Pedagog i Analizës dhe Kompozicionit, njëkohësisht Shef i Katedrës së Kompozicion-Dirigjimit ne Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Në vitet 1972-1978 ishte Inspektor, specialist për Muzikën në Ministrinë Arsimit e Kulturës, Tiranë. Deri në vitin 1979 ai ishte Mësues i Harmonisë, Analizës dhe Orkestracionit pranë Shkollës se Mesme të Muzikës Jan Kukuzeli, Durrës. Nga 1979 e në vazhdim punoi si Shef i Katedrës së Teori- Kompozicionit në Fakultetin e Muzikës, Pedagog i Analizës dhe Kompozicionit. në e Universitetin e Arteve – Tiranë. Lara ka qenë President i Shoqatës muzikore “Tonin Harapi”, i festivalit të përvitshëm të Romancës Shqiptare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe kompozitorëve të Shqipërisë. Krijimtaria e tij artistike është botuar vitet e fundit në tre volume.
“Historia do të evidentojë vlerat e saj. Krijuesit tanë, kompozitorët në atë kohë kanë krijuar vepra ç‘është e vërteta, opera simfoni. Sot ka një vakum. Kur meditojmë sot për krijimtari muzikore, për kompozitorët që kanë shkruar me pasion kjo mungon në kohën e sotme”, shprehej kompozitori kohë më parë. Në faqen e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama shkroi për kompozitorin se: “Kozma Lara u nda nga një jetë e tërë mbi tastierën ku shkroi vepra të vyera muzikore. I paharruar kujtimi”. “Muzikë do thoja në vazhdim të asaj që kemi krijuar duke respektuar momentet, veçoritë, identitetin kombëtar në përgjithësi, traditën.
Vetëm në saj të kulturës që marrin, fitojnë, kulturë e cila jo vetëm të jetë për artin muzikor, por edhe ana tjetër, të njohin letërsinë e këtij vendi, poezinë e këtij vendi. Është një domosdoshmëri për të kompletuar atë që thoni ju se pa këto nuk mundet të krijosh”, përfundoi kompozitori”, shprehej Lara mbi muzikën. Ikja e tij është një humbje për kulturën shqiptare.
Florian Vlashi: Kozma Lara, ikja e një brezi të ndritur
"Më hidhëroi shumë vdekja e profesor Kozma Larës. Brezi i ndritur i muzikës shqiptare po largohet pak nga pak në një “diminuendo” pa “rallentando”. Marr partiturën e tij nga një dosje e vjetër ku është bashkë me veprën e Feim Ibrahimit. Të dyja titullohen “Scherzo”. Po qeshin me ne më duket? Pse jo? Kanë të drejtë. Ata, bashkë me shumë emra të ndritur, e kryen detyrën e tyre, e krijuan korpusin sonor shqiptar në kohën më të vështirë për artin. Po ne?
Në këtë të ashtuquajturën liri plot “panem et circenses” (bukë e cirk) shpesh harrojmë se ka një dallim të madh nga “të luash veprën e tyre” apo “të luash me veprën e tyre”. Ky korpus është orientimi më i mirë për të mos humbur në kaosin e përditshëm që i ngjan një pikture abstrakte.
Partitura e Kozma Larës është me shënimet e tij dhe të profesor Ibrahim Madhit nga koha kur unë përgatitja premierën e veprës në koncertet e majit. Janë shënime me laps të kuq dhe lapsat e kuq nuk kanë gomë. Ato shenja nuk prishen. Nuk ndërrohen. Nuk shuhen. Janë tatuazhet tona."