Hava Bekteshi, artistja që synon ta ndërkombëtarizojë çiftelinë

E mërkurë, 23 Janar 2019 11:29

Nga Dionesa Ebibi

(Zeri.info)

Me prejardhje nga një familje shqiptare e Maqedonisë, e rritur në Gjermani Hava Bekteshi së fundmi e ka mahnitur publikun kosovar me performancën e saj me çifteli, të cilën e pati në një organizim në Kosovë. Për gazetën “Zëri” Bekteshi ka treguar për lidhjen e saj me çiftelinë dhe se çfarë ndjenje është të rritesh në një familje, e cila mbrëmjeve mblidhet dhe zhvillon koncerte shtëpiake, familje kjo që sipas Havës është munduar për vite t’i ruajë traditat kombëtare e kulturore.

Me çiftelinë Hava është njoftuar herët dhe që nga mosha 9-vjeçare nuk është ndarë prej saj, në fillim vetëm për dëshirë e më vonë për ta zhvilluar edhe si punë praktike. Bekteshi theksoi se qëllimi i saj është ta fusë çiftelinë sa më shumë në treg të huaj, sepse ia vlen të investohet kohë, mund dhe dëshirë që të promovohet sa më shumë.

Hava tha se shumica mendojnë se çiftelia është instrument i lehtë, për shkak se i ka dy tela, por çiftelia mund të jetë një instrument shumë kompleks. E sipas saj, sekreti është se duhet të jesh shumë kreativ për t’i bërë gjërat e bukura. “Çiftelia e vogël” është lloji i çiftelisë së cilës i bie ajo dhe përdoret më shumë nga femrat, për solistë dhe për notat e larta. “Përveç ne rapsodëve e instrumentistëve që po mundohemi ta ruajmë traditën folklorike dhe vlerat tona kombëtare, siç janë: lahuta, çiftelia, fyelli, kavalli, daullja dhe të tjera, duhet që edhe institucionet tona të na ndihmojnë në këtë drejtim duke i përkrahur projektet tona, si dhe mediet”, tha Bekteshi.

Tutje instrumentistja inkurajon gjeneratat e reja dhe dashamirët e muzikës që të mos e harrojnë këtë instrument, por përkundrazi ta ruajnë si vlerë. “Gjeneratat e reja duhet ta praktikojnë, sepse një gjë që nuk praktikohet edhe harrohet. Rastin konkret kemi lahutën. Nuk besoj se do ta ketë fatin e njëjtë, përderisa unë ia kam arritur qëllimit në një vend të huaj dhe njerëzit e huaj ta pëlqejnë si instrument. Shpresoj dhe mendoj se do të jetojë gjatë”, vlerësoi Bekteshi.

Bekteshi si instrumentiste është angazhuar në shumë projekte në Gjermani, duke marrë pjesë kryesisht në tri festivale famëplote, ku ka arritur ta prezantojë çiftelinë si instrument. Hava tregoi se ka bashkëpunuar edhe me një grup, djem e vajza të huaj, francezë, italianë dhe anglezë, përmes të cilëve kanë arritur ta prezantojnë një lloj albumi këngësh, duke bërë kombinime të instrumenteve muzikore, në mes tyre edhe çiftelia dhe kënga shqipe. Hava ka qenë edhe pjesë e një drame, në të cilën ka luajtur një rol të vogël dhe njëkohësisht i ka rënë edhe çiftelisë, pra muzika e shfaqjes ka qenë nën tingujt e çiftelisë.
Ajo ka kujtuar dhe një projekt, që e quan të lezetshëm, duke qenë pjesë e një filmi dokumentar me producentë dhe me regji gjermane, por me tematikë shqiptare, i emëruar si “Burrëreshat”, që ka të bëjë me femrat në Shqipëri, të cilat jetojnë jetën e burrit.

Bekteshi thekson se luan me çifteli ashtu siç i vjen nga zemra, ndonjëherë edhe pa i përfillur rregullat. “Unë i bie çiftelisë nganjëherë siç dua unë e jo siç e do rregulli gjithherë. Ndoshta e dridhi dorën ndryshe, ndoshta mund të mos jetë mirë, por unë gjithmonë mundohem të luaj me zemër dhe të eksperimentoj me të. Këngët e lehta qytetare, që nuk këndohen me çifteli, unë i kam kënduar. Por ky është pasioni i vërtetë për të”, theksoi Bekteshi. E kënga që Hava më me qejf e këndon ndër kohëra është “Moj bardhokë, flokë kurorë”.

Ajo tha se ndihet shumë e lumtur kur merr mesazhe pas performancave, ka njerëz që e pëlqejnë këtë art dhe ka të tillë që i shkruajnë e i kërkojnë që të mësohen për t’i rënë çiftelisë. “Do të ishte një sukses i madh sikurse pas çdo prezantimi në çdo 10 njerëz të dalë një instrumentist i folklorit. Për çdo rapsod nderim janë prindërit që i frymëzojnë fëmijët e tyre me dashuri atdhetare”, tha ajo.

Bekteshi për fund theksoi se nga eksperienca e saj e prezantimit jashtë vendit ka kuptuar se çiftelia vlerësohet nga të huajt. “Më ka habitur fakti se sa shumë vlerësohet një instrument si çiftelia, edhe kulturalisht. Të huajt e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë, prandaj do të ishte mirë që edhe ne sa më shumë t’i kultivojmë vlerat tona”, kërkoi Bekteshi.

Hava Bekteshi ka përfunduar Fakultetin Ekonomik dhe Pedagogjinë, ka punuar deri në vitin 2015 në drejtimin e ekonomisë, kurse qe prej dy vjetësh punon si mësuese e gjuhës gjermane. Që nga viti 2010 bashkëpunon me produksione gjermane dhe me muzikantë të huaj. 

Artistja.jpg

 

Modifikuar më E mërkurë, 23 Janar 2019 17:25
Login to post comments