Komedia franceze “Boeing Boeing” merr vlerësimin e publikut

E mërkurë, 23 Janar 2019 14:52

Komedia “Boeing Boeing” ka shoqëruar për disa mbrëmje me radhë publikun në sallën “Moliere” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra e autorit francez Marc Camolett me regji nga Kiço Londo erdhi në skenë nën interpretimin e aktorëve Amos Muj Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alessia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Linda Jarani. Pas shfaqjeve gjatë muajit janar kjo vepër do të rikthehet sërish në skenë gjatë ditëve të muajit shkurt. Gjatë mbrëmjeve të janarit vepra ka marrë sërish vlerësimin e publikut. Ngjarjet e veprës ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh.

“Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Në vepër janë tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. Situatat komike mes personazheve dhe mesazhet sociale të veprës kanë shoqëruar publikun gjatë kësaj fundjave. Bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Ambasadës Franceze ka sjell në skenën e teatrit shfaqjen “Boeing Boening”. Më herët regjisori Kiço Londo është shprehur se ka njohur suksesin në skena të botës dhe erdhi dhe për publikun shqiptar. “Boeing Boeing është një komedi mjaft e suksesshme, komedia franceze më e shfaqur në botë deri më sot. Jam shumë i kënaqur me ekipin e aktorëve, që janë në shfaqje. Një ekip që punon mirë, komunikon mirë me njëri- tjetrin dhe publiku e ka pritur shumë mirë shfaqjen”, ka pohuar Londo. Ndërkaq që kjo komedi është shfaqur dhe në skena teatrore të qyteteve të tjera për të qenë dhe gjatë janarit të këtij viti në teatër.

Login to post comments