Ekspozita "Kthim në kohë. Shqipëria e viteve 90-të" e fotografit dhe antropologut austriak Robert Pichler, e kuruar nga Edit Pula, pasi shëtiti 18 muaj rresht nëpër Shqipëri, përfundon udhëtimin e saj në Tiranë. Për publikun ekspozita me fotografi do të çelet nesër në Muzeun Historik Kombëtar. Kuratorja Edit Pula shprehet se është një ekspozitë me fotografi nga veriu apo jugu i vendit, që përmban çdo aspekt të jetës së atyre viteve. “Është një përmbledhje e gjithë kontekstit shqiptar të kohës së viteve ’90, pra nga çdo aspekt të jetës. Në ato vite si jetonin, që nga rrugët, mjetet e transportit, si hanin, ku shkonin dhe çfarë bënin, është Shqipëria e atyre viteve. Ka fotografi në veri të vendit, në jug, ka njerëz dhe portrete të atyre viteve, ka dhe rituale mortore apo dhe dasma shqiptare, ka pajtim gjaku, etj”, tregon kuratorja. Para se të vinte në Tiranë ekspozita ka shëtitur në disa qytete të vendit dhe sipas kuratores Edit Pula ka pasur impaktin e saj në publik. “Në çdo qytet që është hapur deri tani ka pasur impakt të veçantë. Ne kemi pasur më shumë foto gjithëpërfshirëse të veriut atje dhe njerëzit ndiheshin më afër, po ashtu në rajonet e tjera në jug edhe aty njerëzit ndiheshin më pranë gjërave që kanë më të afërta. Në përgjithësi impakti për ekspozitën ka qenë i përgjithshëm, sepse janë kohë që njerëzit jo i kanë harruar, por kanë ikur pa vëmendje dhe detyrimisht i është kthyer në memorie aspekte të ndryshme të asaj kohe, kjo është dhe interesantja e ekspozitës”, vijon të tregojë kuratorja Edit Pula. Ekspozita ka dy aspekte, njëra që është statikja me foto në galeri apo muze dhe tjetra është lëvizëse. Kuratorja tregon se ekspozita lëvizëse konsiston në një autobus linje që shëtit nëpër qytet dhe bën ritualin e zakonshëm, por që është i veshur me fotot e ekspozitës. “Nuk është reklamë për ekspozitën në vetvete, por është brenda konceptit, që është hapësirë ekspozuese. Por në lëvizje, në pamundësi për ta mbushur gjithë qytetin me foto një autobus kemi mundur që ta kemi në çdo qytet”, shprehet kuratorja Edit Pula.
Ekspozita “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve`90-të” e nisi udhëtimin e saj me autobus dhe u inaugurua fillimisht në stacionin e autobusëve të zonës së veriut në Tiranë 18 muaj më parë. Autobusët e linjës Tiranë-Bajram Curri, veshur me fotografitë e bëra nga Robert Pichler, u përcollën me ceremoni dhe u pritën me tupanë e lodër si mysafirë nderi në hyrje të Muzeut Historik të Bajram Currit në Tropojë dhe brenda tij pjesa më e madhe e fotografive qëndruan të ekspozuara deri në muajin shkurt 2018. Në tekstin e përgatitur nga fotografi dhe kuratorja shkruhet se nga Tropoja, duke vazhduar udhëtimin e shtuar me fotografi të tjera, të marra në rajonin e Shkodrës në vitet `90-të, ekspozita mbërriti në Galerinë e Artit Shkodër. Nga Veriu i Shqipërisë, në prill 2018 ekspozita e shtuar me fotografi të tjera të rajonit të Vlorës mbërriti në Pallatin e Kulturës “Labëria”, në Vlorë dhe pas një ndalese të shkurtër në Qendrën Kulturore të Këlcyrës, e më shumë se prej 7 muajsh qëndrimi në Muzeun “Kadare” të qytetit të Gjirokastrës, tashmë ekspozita mbërrin në Tiranë, për të përfunduar rrugëtimin e saj tek Muzeu Historik Kombëtar. “Duke marrë parasysh rikthimin në kohë që evokojnë këto foto, gjithashtu ftesën për t`u pozicionuar përkohshëm midis së tashmes dhe së dikurshmes, lindi ideja e krijimit të një ekspozite lëvizëse, paralelisht me ekspozitën e instaluar në ambientet e galerisë apo muzeut të qyteteve pritëse”, thuhet për ekspozitën. Autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio veshur me fotografitë e ekspozitës do ti bashkohet koleksionit “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve ‘90” në versionin e saj -ekspozitë në lëvizje, ku ashtu sikur edhe në qytetet e tjera disa nga autobusët e linjës, veshur me fotografitë e Robertit ende i ndesh në rrugët e qytetit të Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Tropojës, duke mbajtur në bark të tyre udhëtarët e së tashmes dhe mbi kurriz dëshmitë e Shqipërisë së atëhershme. Ekspozita në Tiranë është organizuar me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Ambasadën Austriake, Bashkinë Tiranë dhe Muzeun Historik Kombëtar.