Teatri Kombëtar njofton se rikthehet këtë javë në “arTurbina”, vepra e autorit August Strindberg, "Kreditorët" me regji nga Luli Hoxha. “Vjen në skenë në datat 25-26-27 Janar ora 19:00, salla 150” shkruan teatri. Interpretojnë në shfaqje Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili, Tringa Shala. Regjisore dhe aktore në dramë Luli Hoxha më herët është shprehur se është hera e dytë, që ajo punon me një vepër të autorit August Strindberg. Në materialin mbi veprën shkruhet se krisja e marrëdhënieve bashkëshortore vjen si ngërç, i cili zbërthehet brenda 90 minutave në një skenë teatri.
“Marrëdhëniet erotike, psiqike dhe ngarkesa emocionale distancojnë idealizmin e jetëgjatësisë së themeleve të një marrëdhënieje. "Kreditorët", kjo shfaqje që trondit mekanizmin e njeriut të sotëm grushton brenda shpirtit bosh të njeriut bosh. Përbindëshat konsumues do të përballen me pangopësinë si kurth i fajit të tyre. Bota si portokall do t’i kujtojë atyre karmën që nuk vonon për të marrë atë që ka dhënë. Historia mbresëlënëse me në krye krijesën perfekte të Zotit, gruan e cila kthehet në një llogaridhënëse të pashpresë. Harruan ata që pjelloria mban emrin e saj? Vallë harruan ata që sot kërkojnë borxhin se ekzistenca e tyre varej nga kjo krijesë perfekte. Si përfundoi që pas çdo faji të lënë pezull mëkati i Evës endet si fantazëm njëlloj si miliarda vite më parë. Kush kërkon atë që ka dhënë do të mbetet në kohë dhe koha sot ka mbetur”, thuhet për “Kreditorët”. Strindberg e shkroi këtë pjesë më tepër se një shekull më parë dhe triumfon frikshëm njësoj në të sotmen dhe të pandryshueshmen. Aktorët Helidon Fino, Laert Vasili, Luli Hoxha dhe balerina Tringa Shala mishërojnë në këtë muaj të parë të vitit personazhet e forta të kësaj vepre. Ata do të vijnë me petkun reflektues të Adolfit, Gustavit, Teklës dhe Skulptës. Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë si dhe donatorë privatë. August Strinberg lindi më 22 janar të vitit 1849 në Stockholm. Shumë libra të këtij autori klasifikohen si klasike në literaturën suedeze. Strinberg vdiq më 14 maj të vitit 1912.