Drama “Kreditorët” pas skenës së Tiranës do të jetë dhe në teatrin “Skampa” në Elbasan. Vepra e August Strindberg vjen në skenë me regji nga Luli Hoxha. Ne Elbasan vepra do të jetë mbrëmjet e datave 1 dhe 2 shkurt. Në skenë do të interpretojnë aktorët Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili, por dhe Tringa Shala. Në materialin mbi veprën shkruhet se krisja e marrëdhënieve bashkëshortore vjen si ngërç, i cili zbërthehet brenda 90 minutave në një skenë teatri. “Marrëdhëniet erotike, psiqike dhe ngarkesa emocionale distancojnë idealizmin e jetëgjatësisë së themeleve të një marrëdhënieje. "Kreditorët", kjo shfaqje që trondit mekanizmin e njeriut të sotëm grushton brenda shpirtit bosh të njeriut bosh. Përbindëshat konsumues do të përballen me pangopësinë si kurth i fajit të tyre. Bota si portokall do t’i kujtojë atyre karmën që nuk vonon për të marrë atë që ka dhënë. Historia mbresëlënëse me në krye krijesën perfekte të Zotit, gruan e cila kthehet në një llogaridhënëse të pashpresë. Harruan ata që pjelloria mban emrin e saj? Vallë harruan ata që sot kërkojnë borxhin se ekzistenca e tyre varej nga kjo krijesë perfekte. Si përfundoi që pas çdo faji të lënë pezull mëkati i Evës endet si fantazëm njëlloj si miliarda vite më parë. Kush kërkon atë që ka dhënë do të mbetet në kohë dhe koha sot ka mbetur”, thuhet për veprën. Ndërsa më herët në media dhe aktori Laert Vasili është shprehur se janë probleme aktuale që trajtohen në vepër.
“Më tërhoqi vepra pasi mbarova përkthimin, problematika që shtjellon Strindberg, që ndodh 130 vite më parë, por shumë aktuale për Shqipërinë e ditëve të sotme. Edhe gjatë festave kemi pasur dhunë ndaj grave, që kanë qenë ndonjëherë fatale. Kjo është aktuale sot”, ka pohuar aktori. Aktorët Helidon Fino, Laert Vasili, Luli Hoxha dhe balerina Tringa Shala mishërojnë personazhet e forta të kësaj vepre. Ata do të vijnë me petkun reflektues të Adolfit, Gustavit, Teklës dhe Skulptës. Kjo dramë thriller do të vijë për të parën herë në një formë të tillë. August Strinberg lindi më22 janar të vitit 1849 në Stockholm. Ishte një shkrimtar suedez me shumë rëndësi në letërsinë e këtij vendi. Për gati katër dekada ai dominoi në letërsinë suedeze. Vepra e tij ndahet në dy lëvizje letrare; natyralizëm dhe ekspresionizëm. Në përgjithësi shkrimtari konsiderohet si pionier i gjuhës suedeze, pasi ishte shumë produktiv dhe nismëtar në shumë zhanre. Shumë libra të këtij autori klasifikohen si klasike në literaturën suedeze. August Strindberg vdiq më 14 maj të vitit 1912.