Idriz Ajeti, babai i Albanologjisë në Kosovë

E mërkurë, 13 February 2019 14:01

Nga Sabri Hamiti 
U nda sot nga jeta Idriz Ajeti, babai i albanologjisë në Kosovë. Nderimi dhe kujtimi për të do të jenë të përhershëm sa të jetë shqipja.
Atta (rrënjë e moçme indoeuropiane) bashkon kuptimisht të dy gjinitë për të treguar amësinë dhe atësinë. Idriz Ajeti e kishte amë shqipen e atë atdheun. Vetë u bë babai i albanologjisë në Kosovë. Shembëlltyrë e studiuesit të historisë së shqipes dhe protagonist i shkëlqyeshëm i botës kombëtare në Kosovën moderne.

Një nga studiuesit më të mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe, që studimet e veta i botoi në një seri monografish shkencore, të paraqitura edhe në nivel të librave universitarë e shkollorë, për t’i përhapur si ide e si rezultate për brezat e rinj.

Me statusin e fituar të Kreut të studimeve shqiptare te ne, ai doli përherë në krye. Ligjëroi në katedrën e albanologjisë në Beograd, themeloi katedrën e albanologjisë në Prishtinë, ku ligjëroi dhe u bë kreu i saj. U bë dekan i Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, rektor i Universitetit të Prishtinës, punonjës shkencor dhe drejtor i Institutit Albanologjik, themelues dhe drejtor i Seminarit për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i kësaj Akademie.

Punonjës i palodhur për standardizimin e shqipes. Drejtoi Konsultën Gjuhësore në Prishtinë dhe ishte njëri nga protagonistët e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë.
Mentoroi studentë e studiues të shqipes, shqiptarë dhe të huaj.

Të gjithë brezat e studentëve dhe të studiuesve të shqipes në Prishtinë janë nxënës të drejtpërdrejtë apo të ndërmjemë të tij.
Idriz Ajeti ishte në ballë të veprimtarëve për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Si bashkëpunëtor i afërm i Ibrahim Rugovës, ai u bë një protagonist i lëvizjes pavarësiste të Kosovës. Ishte një nga autoritetet e mëdha të kësaj lëvizjeje dhe u zgjodh kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (1998).

 Idriz Ajeti ka njohur thellë ligjërimin letrar dhe ligjërimin shkencor shqip. Ka pasur stil në ligjërimin e vet shkencor si dhe në reagimet e tij publike. Këtë e dëshmon gjuha e tij karakteristike, me fjalor dhe me sintaksë.

Ka qenë e admirueshme sjellja e tij me moshatarët e vet dhe me brezat më të rinjë, me finesë e fisnikëri, por edhe me dashuri për të vërtetën.
Idriz Ajeti e ka adhuruar Eqrem Çabejn si personalitet dhe si studiues të albanologjisë. Ai vetë ka qenë i çmuar dhe i nderuar lart nga Çabej për veprimtarinë e tij shkencore e kombëtare.

Ka qenë i admiruar nga studentët e tij, të cilëve u ka mësuar shkrimin e bukur të shqipes. E kanë lexuar ata, por i ka lexuar edhe ai me vëmendje të jashtëzakonshme.
Ka qenë një reagues i rreptë, konciz dhe i pakompromis kundër lajthitjeve dhe diletantizmit në fushën e studimeve shqiptare.

Ka mbrojtur me përkushtim origjinën antike të shqipes në konferenca shkencore dhe në ballafaqime politike e nacionale. Është emblematike kjo mbrojtje e shqiptuar fuqishëm edhe në Beograd, në qerthullin e nacionalizmit agresiv serb kundër shqiptarëve. Reagim i bërë ky madje në tribunën e tyre politike.

Idriz Ajeti do të vlerësohet dhe kujtohet sa herë të përmenden shqipja dhe shqiptarët.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...