Përmes një ekspozite fotografike dhe një takimi kulturor u përkujtua sot në Shkodër 120 vjetori i krijimit të shoqërisë “Bashkimi”.
Aktiviteti i organizuar nga Famullia e Shën Shtjefnit dhe Biblioteka Publike “Marin Barleti” risolli përmes kumtesave, përshëndetjeve të të pranishmëve ekspozitës fotografike, përmasat mbarëkombëtare të shoqërisë “Bashkimi” në aspektin patriotik, por edhe të kontributit për gjuhën e sotme shqipe.
Pjesë e aktivitetit u bënë autoritete vendore, deputetë, diplomatë, intelektualë dhe familjarë të Abat Prend Doçit, nismëtar i kësaj shoqërie, por edhe i botimeve të saj, shumë të rëndësishme si “Fialuer i Rii i Shcypes”, i ribotuar nga Enti Botues “Gjergj Fishta” sivjet.
Gjatë aktivitetit, u nënvizua rëndësia e rikonstruksionit të shtëpisë ku pati selinë kjo shoqëri dhe ku zhvilloi aktivitetin e tij Abat Prend Doçi.
Bashkia e Shkodrës ka ndërmarrë këtë iniciativë, duke kërkuar edhe zyrtarisht bashkëpunimin dhe ndërhyrjen e Ministrisë së Kulturës.