Sopranoja kosovare tashmë me famë botërore, Elbenita Kajtazi, ka vetëm edhe një javë afat që ta zgjidhë çështjen e pasaportës, që të mos i shkëputet kontrata që thotë ta ketë ëndërruar gjithmonë. Ajo nuk do të mundë të udhëtojë në Kili, ku është paraparë të debutojë në rolin e Sophies në operën “Der Rosenkavalier” të Richard Straussit.
Pasaporta e Kosovës nuk i kryen punë. Ky shtet, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ia ka pamundësuar Kajtazit që me pasaportë kosovare të udhëtojë atje. E që të mos e humbë shansin ka katër muaj që ka kërkuar pasaportën e Shqipërisë. Ende nuk ka marrë përgjigje, e për këtë të martën i është drejtuar publikisht presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Kam bërë kërkesë për pasaportën shqiptare para 4 muajsh dhe kërkesa ime ka qenë e pranuar me gjenerozitet nga shteti shqiptar. Procedurat janë pak të gjata, por do ju lutesha të më ndihmonit për të shpejtuar këtë procedurë, sepse rrezikoj ta humbas këtë mundësi që më ka kushtuar shumë”, i është adresuar Kajtazi presidentit Meta.
“Der Rosenkavalier” e Straussit, të cilën Kajtazi e konsideron si ndër operat më të rëndësishme për të, gjatë muajit maj dhe qershor do të luhet në kryeqytetin e Kilit, Santiago. Ka dy vjet që ajo është duke punuar për këtë produksion, derisa ka theksuar se ky është një rast i mrekullueshëm që të debutojë në rolin e Sophies.
Kajtazi ka shtuar se ditë më parë është kontaktuar nga ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka kërkuar nga Presidenca që ta përshpejtojë procedurën, por ende s’ka një përgjigje për të.