“Njeriu shumëdimensional” i filozofes Hasnije Ilazi vjen si një zbërthim kompleks i zhvillimit të qenies tek shtron pyetje për unin e brendshëm njerëzor, botën e jashtme dhe definimn e njeriut nga kënde të ndryshme. Janë ato që krejt bashkë përthekojnë identitetin që vjen edhe si nëntitull i librit “...dhe përsiatje tjera mbi identitetin modern”.
Teoritë filozofike – siç shkruhet në hyrje të librit i cili u përurua të martën pasdite në sallën e kulturës në katedralen “Nëna Terezë” – njeriun e definojnë nga këndet e ndryshme. Disa nga to thelbin e të qenët njeri e gjejnë në dallimin përmbajtjesor nga qeniet e tjera të gjalla, si kompleksitet në potencë ose si univers simbolik.
Veçantia e këtij libri qëndron në faktin se vjen nga një autore në fushën e filozofisë, duke theksuar kështu rëndësinë e publikimeve të filozofisë, në kohën kur shoqëria moderne përballet me dinamikën e shtuar që e definon jetën e njeriut dhe ndryshimet në jetën shoqërore, politike e kulturore të njeriut modern.
Kristë Shtufi, shef i Departamentit të Filozofisë në Fakultetin e Filozofisë në UP, ka thënë se duke qenë libër i parë nga fusha e filozofisë i shkruar nga një grua mund të jetë edhe frymëzim për studiues të tjerë, në veçanti për gratë dhe vajzat e tjera kosovare për të insistuar që të merren me filozofi dhe punë intelektuale.
Ai ka përmendur kontributin e Ilazit në Departamentin e Filozofisë qysh prej 1996-s, fillimisht si udhëheqëse e Departamentit të Filozofisë për tetë vjet rresht, deri te posti aktual i prodekanes për mësim në Fakultetin e Filozofisë.
Filozofi Muhamedin Kullashi, recensent i librit, ka thënë se Hasnije Ilazi ka bërë një analizë të frytshme në procesin e identitetit të shumëfishtë dhe proceseve të transicionit në shoqëri të ndryshme. Kullashi ka thënë se nuk ka dyshim se libri do të begatojë hulumtimet filozofike me cilësinë që ofron në zbërthimin e modernitetit, duke ofruar kërkim filozofik kompleks që lë pas pyetje të rëndësishme rreth sfidave të identitetit të njeriut në shoqërinë bashkëkohore.