isedë mes poetit Petrit Nika dhe poetit Granit Zela
Për mendimin tim letërsia ka nevojë për shkrimtarë të mirë, por nuk është të qenit shumë i njohur që të bën shkrimtar të tillë. Madje do të thosha që shumë shkrimtarë bashkëkohorë harxhojnë shumë energji krijuese me përpjekje për tu ndërkombëtarizuar, më shumë energji se sa ia kushtojnë të shkruarit. Kjo në fund të fundit është një faktor jashtëletrar që nuk duhet të absolutizohet. Letërsia shiqpe ka pjesën e vete cilësore dhe mediokre si të gjitha letërsitë e botës.
Përshëndetje Granit! M’u desh të vij në Kuvajt që t’ju gjej për këtë intervistë. Si përfunduat këtu?
Tungjatjeta Petrit! Nisi si një kurs specializimi në New York dhe pas kësaj, njerëz të rëndësishëm në jetën time më drejtuan për tek një universitet amerikan këtu në Kuwait City. Është ndër misteret e jetës, ngjarje të cilat nuk i ke menduar ndonjëherë se mund të të ndodhin, por ja, gjithçka rrjedh me shpejtësi: një aplikim, dy intervista pune, nisesh drejt aeroportit, mbërrin në një aeroport tjetër, nxiton të kapësh fluturimin e radhës, gjen portën e duhur, bën një udhëtim më të gjatë, dhe je në një një qytet që shpërfaqet para teje krejt i panjohur. Gjithçka është një zbulim. Zbulon kësisoj jo vetëm territore fizike, ndërtesa, rrugë, rrokaqiej, por edhe përjetime, takon bashkëkombas dhe njerëz të kombësive të ndryshme, bëhesh pjesë e një përditshmërie tjetër, krijon një raport me mjedisin ku jeton. Por ajo thelbi i qenies që bartim brenda vetes nuk ndryshon. Ndryshon statusi shoqëror. Mund të themi me shaka se ti po bashkëbisedon me një shkrimtar të mërgatës, por tani që largësitë zvogëlohen nga teknologjia, dhe vajtje-ardhjet mund të bëhen aq të shpeshta sa të krijohet ai iluzioni se edhe je, por edhe nuk je larg.
Brenda një dite njerëzore janë të gjitha ditët, thoshte dikur Borhes. Si është një ditë nga të gjitha ditët tuaja Granit?
Dita ime përcaktohet nga orari që kam në një semestër të caktuar në universitet. Mund të jetë orar ku puna si pedagog i gjuhës angleze në Departamentin e Arteve Liberale fillon në tetë dhe mbaron në pesë të pasdites. Këtë semestër fillon në njëmbëdhjetë të paradites dhe mbaron në tetë të mbrëmjes me përjashtim të së dielës. Në universitet jap mësim lëndën e shkrimit me tekstin e John Langan-it “Aftësitë e shkrimit dhe lexime” dhe ja ku jemi tek shkrimi, procesi i të shkruarit si aftësi që ushtrohet e përvetësohet, si proces zbulimi, si mënyrë komunikimi me të tjerët, dhe më pas, hapat që ndiqen gjatë të shkruarit, shkrimi i variantit të parë, rishikimi, llojet e eseve dhe shkrimi i tyre.
Si detyrë kursi është shkrimi i një tregimi, me qëllim të zhvilluarit e të shkruarit krijues kur studentët pasi njihen me elementët e tregimit, punojnë t’i krijojnë vetë këto elementë. Kjo është pjesa më e bukur, pasi në fund historitë që ato krijojnë, botohen nga univesiteti në formën e një libri. Tregimet më të mira paraqiten në “Panairin Akademik” ku autori/ja ua rrëfen historinë të tjerëve bashkë me procesin se si është krijuar ajo. Ora më e bukur e semestrit është ajo gjatë së cilës formësohen në klasë linjat kryesore të historive dhe më duhet të lexoj histori nga më të ndryshmet dhe të jap mendimin se çfarë drejtimi mund të marrin përsa i përket “konflikti”, “pikës kulmore” “zgjidhjes” dhe “përfundimit”. Një lëndë tjetër që jap mësim është ajo e “Aftësive të studimit”, strategjitë se si mund të arrihet suksesi akademik nga studentët. Kjo është orë në një auditor prej njëqind studentësh ku duhet të përdor bashkë me metodologjitë e mësidhënies edhe strategjitë e komunikimit për ta mbajtur gjallë vëmendjen e auditorit.
Në fund të ditës, kthehem tek shtëpia ku banoj, njëzet minuta larg universitetit, rrugë të cilën në dimër parapëlqej ta bëj në këmbë si ushtrimi i vetëm fizik ditor. Gjatë rrugës smart watch-i që mbaj në dorë më nxit duke më nxjerrë të shkruar: “Ke bërë gjashtë mijë hapa, vazhdo!” ose “Sapo theve një rekord, të lumtë!” dhe ja të krijohet ideja sikur ke bërë namin. Në pasdarkë, mund të përkthej një libër, intervistë, ese, tregim, ose të shkruaj apo përfundoj ndonjë tregim të nisur qyshkuri. E premtja dhe e shtuna, janë dy ditë që mund t’i përdor plotësisht për të lexuar apo shkruar letërsi artistike.
Opinioni shqiptar këto kohë mund ta ketë mendjen kudo, veç jo tek letërsia. Edhe në botë nuk duket se ka shenja të mira në kohën tonë për letërsinë. Si mendoni, a ka ardhur koha e perëndimit të saj, siç perënduan mitet e lashta, kur mendimi njerëzor njohu zhvillime të reja? Apo është një fazë kalimtare edhe kjo?
Përherë në kohë ndryshimesh të jashtëzakonshme shoqërore, në kohën kur krijohet një klimë krejtësisht e re kulturore, ideja më popullore është ajo e vdekjes së letërsisë. “Vdekja e letërsisë” është një titull intrigues, apo jo? Në vitet 1960, klima letrare, e ndihmuar nga atmosfera e radikalizuar shoqërore dhe politike, ndryshoi shumë shpejt dhe në këtë dhjetëvjeçar vërshuan thirrjet për “vdekjen e romanit” dhe shterimin e mundësive letrare të letërsisë, paralajmërime të zakonshme qysh prej kohës së Servantesit. Tani ka studiues që e kanë rimarrë idenë e vdekjes së romanit duke e lidhur me idenë e vdekjes së librit, si fazë e kalimit nga epoka e e librit të shtypur në epokën post-Gutenberg të informacionit. Epoka në të cilën jetojmë sot është epoka digjitale, dhe natyrisht ideja e “fundit” rishfaqet, madje në një shkrim që kam hasur ajo është formuluar kësisoj: “Fundi i letërsisë (kësaj here me të vërtetë.)” Kjo shtojca “kësaj here me të vërtetë” është si ajo thirrja e atij që ka gënjyer shumë herë se ujku ka sulmuar tufën e deleve, dhe megjithëse kësaj here kjo ka ndodhur me të vërtetë askush nuk e beson. Dhe nuk mund t’u vësh faj sepse edhe kësaj here mund të mos jetë e vërtetë!
Robert Coover në shkrimin “Fundi i letërsisë” (2018), argumenton se në këtë epokë digjitale se megjithëse letërsia si formë e artit mund të jetë duke humbur terren, rrëfimi i historive duket se është pjesë e AND-së së çdo njeriu, shtysa më e fuqishme dhe e rëndësishme se çdo formë e mënyrës se si ato përcillen, dhe siç na kujtojnë historitë e Bokaçios për murtajën, ato do të vazhdojnë me shumë mundësi deri në fund të kohës njerëzore. Sepse çfarë tjetër përpos kësaj mund të ndodh? Madje edhe nëse të rrëfyerit, qoftë eksperimentues ose konvencional, zvogëlohet në komedi gazmore përballë publikut, në eulogji, lirika të tipit “rap”, apo në epigrame të shkruara në twiter, njerëzit do të vazhdojnë ta ndjejnë thirrjen e detyrës që Hesiodi u la Muzave mijëra vjet më parë: të bëhen pjesë e riteve dhe dogmave kombëtare, të jenë dëshmitare të kohës së tyre, dhe të ofrojnë ngushëllim dhe argëtim, siç e tha ai, për t’i bërë zotat të qeshin.” Këto Muza them se mund të gjenden, me llogarinë e tyre në internet duke lundruar në hapësirën kibernetike, ashtu si po ndodh tani, përfundon Koover.
Këtë ide e shtjellojnë edhe dy shkrimtarë bashkëkohorë, shkrimtari i mirënjohur amerikan Paul Auster, dhe romancierja Samanta Schweblin, një nga rrëfimtaret më të mira bashkëkohore në gjuhën spanjolle. Sipas Auster-it, për vite të tëra, në çdo vend të botës perëndimore, janë botuar me dhjetëra artikuj që ngrenë shqetësimin po lexohet gjithnjë e më pak, se kemi hyrë në atë që disa e kanë quajtur “epoka e pas-leximit”. Mund të jetë e vërtetë, por në të njëjtën kohë, kjo prirje s’e ka zvogëluar urinë universale për rrëfime sepse qeniet njerëzore kanë nevojë për rrëfime. Ata kanë nevojë për ato pothuajse aq dëshpërimisht sa kanë nevojë për ushqim, dhe pavarësisht nga mënyra se si përcillen rrëfimet, në një faqe të shtypur libri apo në ekranin e televizionit, do të ishte e pamundur të imagjinohej jeta pa to.
Schweblin po kështu mendon se se serialët televiziv, lojërat dhe media në përgjithësi kanë ndryshuar mënyrën se si rrëfejmë histori. Por librat do të mbeten. Teknologjia ka ndryshuar të gjitha artet e tjera: pikturën, teatrin, kërcimin, kinemanë, muzikën por letërsia është një proces krejtësisht intim ndërmjet zërit të shkrimtarit dhe mendjes së lexuesit, është diçka kaq e natyrshme dhe e fortë sa e vetmja gjë që teknologjia mund të ndryshojë është formati, për shembull, nëse lexojmë një libër të shtypur apo libër elektronik. Por kjo s’e ndryshon zemrën e letërsisë.
Në përgjithësi mendimi letrar i shekullit të kaluar dhe të sotëm e shkëputin letërsinë nga roli edukativ. Cili është roli i saj në historinë e zhvillimit njerëzor dhe cili është roli i saj në ditët tona?
Shkrimi krijues, ka funksion parësor kënaqësinë estetike. Është një art që ka format e vet të shprehjes, instrumentet e veta, gjuhën, fjalinë, paragrafin, vargun e lirë ose me rimë etj etj, dhe vlerat estetike janë ato që bëjnë edukimin estetik të njeriut, zhvillojnë idenë dhe shijen për të bukurën. Pavarësisht se Hesiodi u kërkonte Muzave të ishin dëshmitare të kohës së tyre, janë vlerat estetike të veprave letare, janë këto vegla të punishtes, mënyra si i përdor autori ato që përcaktojnë vlerën e një krijimi letrar. Janë këto mjete të shprehjes letrare që përcaktojnë jetëgjatësinë në kohë të një krijimi dhe lënda që ato mund të përdorin, le të themi, temat që kanë të bëjnë me racat, shtresat shoqërore, gjininë, feminizmin, transgjinizmin, etnicizmin, marksizmin, apo ato “izmat” që kritiku Harold Bloom thotë se po e shkatërrojnë letërsinë.
Në Shqipëri ne patëm një “izëm” në letërsi që quhej “Realizëm Socialist”. “Izmat” e çdo lloj kohe sundojnë dhe mund ta përdorin produktin mediokër letrar në funksion të interesave të tyre, derisa t’iu vijë fundi. Kumte që përcjell, përjetimi estetik që ngjall një krijim letrar mund të kenë të bëjnë me përmasa të ndryshme të ekzistencës sonë shoqërore por letërsia është dhe mbetet një krijim krejtësisht individual dhe roli parësor i letërsisë është vetëm letrar, të magjepsë me bukurinë e tij estetike, edhe njëzetë, pesëdhjetë apo njëqind vjet pasi ky krijim ka ndodhur. Kam parasysh letërsinë jetëgjatë, me vlera të qëndrueshme në kohë, edhe kur ngjyrat e kohës ndryshojnë, klima shoqërore ndryshon, ajo çfarë mbijeton vetëm si letërsi.
Letërsia shqipe është një letërsi provinciale. Edhe nëse është cilësore, prapë për arsye të ndryshme, kryesisht gjuhësore, mbetet një letërsi në zonën e eklipsit. Si një vajzë e bukur fshati që kurrë, qoftë edhe një herë të vetme, nuk u bë miss Universi. Gjithsesi kjo nuk i pengon shkrimtarët tanë bashkëkohorë të shpallin njëri-tjetrin, apo të vetë-shpallen se ata janë përfaqësuesit kryesor të saj dhe kërkojnë të maten me emrat e mëdhenj të letërsive të shkruara në gjuhët e mëdha të botës. Si do ta komentonit ju këtë fenomen soc-kulturor?
Të them të drejtën nuk e kam menduar dhe nuk e kam përjetuar kurrë letërsinë shqipe si provinciale. Këtu, në studion time hermetike, kam dëshirë të hap një libër dhe të citoj këtë fragment: “Gruaja i pushtoi me krahët e saj trupin e tij-si bërshlemi që pushton lisin, dhe si u ngrit në majë të thonjve i preku atij buzët me buzët e saj. Dhe buzët e gruas diqnin. Sepse zjarri i kurmit të saj dilte me anë të buzëve. Asohere shtëpia e Tat Tanushit u mbush me erë lulesh që turbullojnë gjakun. Dhe bota u shemb me zhurmë të madhe. Dhe ranë të gjithë faltoret. Dhe ranë gjithë kryqet. Sepse Tat Tanushi i Bubutimës, enoria e Apollonisë, kreu mëkatin e math të mishit, brenda në shtëpinë e tij, përpara korave dhe të gëdhendurave me fytyrën e Kalijes.” “E madhe është gjëma e mëkatit” më jep një kënaqësi të madhe estetike, kënaqësi që e merr nga letërsia e madhe, nga një letërsi si “At Sergi” e Tolstoit. Tema e mëkatit të mishit është universale, gjuha dhe arti letrar që përdor Kuteli në këtë vepërz të përfunduar në 16 shkurt 1947 është gjuha e letërsisë së përgjithëkohshme.
Po kështu po të lexoj një fragment nga një roman bashkëkohor si ky: “Kur Netën e kapte gjumi, para se të hovte nga ndonjë krizë e pavetëdijshme, Metani hapte paksa derën e dhomës së gjumit, i afrohej në majë të gishtave, bashkonte pëllëmbët para gjoksit dhe mërmëriste lutjen e tij: “Të lutem! Në qofsh shtrigë, spiune e armikut, e inflitruar këtu enkas për mua, më helmo, më verbo, më dëmto shëndetin e më merr jetën kur të jepet rasti, por mos më turpëro me shokët e ushtrisë, mos më shfrytëzo mua për të realizuar objektiva të armikut kundër nesh. Të lutem!”
Si në rastin e parë, kur unë si lexues e gjej veten mu brenda kishës dhe burrit që po shembet para hireve të një gruaje, edhe në fragmentin e dytë, unë jam në dhomën ku personazhi me tru të shpëlarë, i romanit “Pëllumbat i vrasin natën” shfaq para syve të mi shkallën më të lartë të (vetë) asgjësimit si individ nga kolera e ideologjisë duke iu lutur gruas që të tregoj se mos mëkati i mishit është mënyra se si armiqtë e socializmit duan ta mposhtin besnikërinë e tij të pamposhtur revolucionare. Edhe romani i Virion Graçit mund të qëndrojë përkrah veprave letrare më të mira të shkruar nga shkrimtarë bashkëkohës për efektin shkatërrues të ideologjive në personalitetin e individit, duke krijuar një vepër ku “zotat qeshin.”
Mendoj se nuk duhet harruar që shkrimtarët e një vendi të vogël janë të tillë dhe kjo ka disa pasoja që nuk mund t’i shmangësh. E para, duke qenë shkrimtar i një vendi të vogël ka gjasa që një pjesë e madhe e letërsisë që shkruhet të jetë “provinciale” në kuptimin e temave ngushtësisht specifike, për shembull mungesa e dritave, ujit, kanalizimeve dhe nevojave të tjera ekzistenciale, probleme që nuk i zgjidh letërsia. E dyta, ka gjasa që në letërsi të shkruhet sikur vendi të cilit i përket është qendra e botës, kjo për shkak të kompleksit së të qenit shkrimtar i një vendi të vogël. Prej këtej rrjedh edhe kompleksi i të qenit shkrimtar ndërkombëtar, i cili barazohet me të qenit shkrimtar i mirë.
Për mendimin tim letërsia ka nevojë për shkrimtarë të mirë, por nuk është të qenit shumë i njohur që të bën shkrimtar të tillë. Madje do të thosha që shumë shkrimtarë bashkëkohorë harxhojnë shumë energji krijuese me përpjekje për tu ndërkombëtarizuar, më shumë energji se sa ia kushtojnë të shkruarit. Kjo në fund të fundit është një faktor jashtëletrar që nuk duhet të absolutizohet. Letërsia shiqpe ka pjesën e vete cilësore dhe mediokre si të gjitha letërsitë e botës.
Dhe duke qenë se pyetja jua ka në të vërtetë tre konstatime në formë pyetjesh, për sa i përket shkrimtarit bashkëkohor unë bëj një dallim mes produktit letrar dhe autorit të tij. Veprat letrare që shkruhen në botën shqiptare, si në çdo letërsi, një pjesë të madhe janë mediokre, një pjesë janë mesatare dhe një pjesë janë vepra me vlera estetike, që bëhen vetevetishëm pjesë e zemrës së letërsisë shqiptare dhe janë pjesë e letërsisë cilësore universale. Lexoj me kënaqësi vepra të shkrimtarëve bashëkohorë shqiptarë dhe mendoj se po krijohet një aureolë veprash të bukura esetikisht.
Për ironi, “armiq” të këtyre veprave janë të shumtë, duke nisur nga vetë autorët shqiptarë. Kuteli, ka lënë një testament shpirtëror, një tekst drithërues që përshkruan fatin e shkrimtarit shqiptar në diktaturë duke shkruar mes të tjerash se: “Profesionizmi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.” Ne jemi dëshmitarë që gjatë kohës së realizmit socialist nuk ishte vetëm ideologjia ajo që kërkoi vazhdimisht ta kthente letërsinë në lavire të haremit të saj ideologjik por ishin edhe vetë shkrimtarët që për xhelozi letrare e përdorën ideologjinë si kamë për të “masakruar” dhe “varrosur” kolegët e tyre. Kjo ishte më e kobshme ndaj kolegëve të talentuar, atyre që dukeshin se synonin dhe do të arrinin në majë.
Pyetja që lind është: ky autori shqiptar për të cilin flet Kuteli, ky i marifeteve dhe hipokrizirave është autor që ekzistonte vetëm para viteve 90-të apo edhe këta 29 vjet ia bëri ferr jetën kolegut të vet të talentuar, u mor me marifete dhe hipokrizira? Mua më ka rastisur të ndodhem rastësisht në një tavolinë me një hartues antologjie të poezisë i cili me marifet, thoshte se në antologji, filan autori me të cilin nuk shkonte mirë do t’i përfshinte një poezi të dobët kurse një tjetër autor nuk do ta përfshinte se avash njëherë, dashka ai të jetë përkrah meje, një shkrimtar jo dosido, por shkrimtari më i mirë i gjallë, lëvdonte ai veten e vet. Përveç marifeteve që bëjnë kolegët mes tyre, të ndërlikuar e shoh edhe marrdhënien e autorit shqiptar me kritikun letrar në rastin kur ai ekziston.
Po ju citoj një fragment–replikë të bashkëshortes së Dritëro Agollit, ndjesë pastë, shkruar si pasthënie e romanit “Njeriu me top.” “Më vjen keq”-shkruhet aty “kur lexoj sot në historinë e letërsisë shqipe të shkruar nga një studiues gjerman, Robert Elsie, që temat e luftës i shkruanin shkrimtarët e bindur, siç ishte Dritëro Agolli, me urdhër të Partisë. Nuk arrij të kuptoj se si një studiues letërsie mund të bjerë në këtë nivel gjykimi ose të marrë përsipër të shkruajë një histori të tërë për historin e letërsisë shqipe, kur bie pre e thashethemeve absurde. ..Studiuesi Robert Elsie, në vend që të kuptonte veçantitë e çdo krijuesi shqiptar, fatkeqsisht ka rënë nën ndikimin e shqiptarëve të ndarë në parti, të zaptuar nga cmirat dhe zilirat. Ai të paktën, për të përligjur punën voluminoze që ka kryer, të zhvillonte një bisedë kortezie me vetë krijuesin Dritëro, autor i mbi 40 librave dhe pastaj të nxirrte konkluzionet e veta si studiues i huaj, që nuk e njeh mirë zhvillimin e letërsisë shqipe.” Pra është Autori (më saktë gruaja e autorit) që i kërkon Kritikut, që të bisedojë më Autorin në lidhje me atë që do të shkruajë në historinë e letërsisë shqipe!
Një rast tjetër illustrues është edhe rasti i autorit Trebeshina që polemizonte me kritikun Agim Vinca për rreshtat që ai i kishte taksur në një Histori Letërsie, polemikë në fund të së cilës ai i kushtoi një poezi me titullin “Profesori polic”. Autori i zemëruar shkruan për Kritikun se “Për foljet shqipe ti ke vetëm prangat...Se je kapter n’repartin e ndëshkimit!” Nga ana tjetër Agolli si duket është i kënaqur me rreshtat që Kritiku i ka kushtuar në Historinë e Letërsisë prandaj dhe i kushton atij një poezi për mjekrrën që i rritet: “Mos vallë andej nga Mali i Thatë/Një shtërg i vonuar u ngrit,/Në mjekërr të hodhi një pendë të bardhë/Dhe penda në mjekërr t’u rrit? Me pak fjalë, nuk mendoj se letërsia shqipe e mirë, është provinciale. Provinciale është sjella e autorit, krijuesit i cili kërkon që duke qenë ai gjallë të shohë dhe mundësisht të shkruaj vetë ai rreshtat për veten në Historinë e Letërsisë Shqipe. Provinciale janë “marifetet” dhe “duelet” me “kobure në brez” që ata bëjnë kundër njërit tjetrit. Provinciale është kompleksi i shkrimtarit “ndërkombëtar” si provë e letërsisë së mirë dhe shumë komplekse dhe marifete të tjera.
A e shikoni letërsinë si një zeje fitimprurëse për autorin?
Në realitetin shqiptar letërsia është zeje fitimprurëse për shtëpitë botuese. Përgjersa kemi rreth njëqind shtëpie botuese dhe asnjëra prej tyre nuk ka falimentuar, kjo do të thotë se është zeje fitimprurëse por çështja është se paratë e fituara i fitojnë në mënyrë të ndershme apo janë (sa)botues shfrytëzues? Nuk më duket e ndershme që shumica e botuesve i kërkojnë autorit të paguaj për veprën që do të botojë dhe nga ana tjetër të mos marrin përsipër shpërndarjen e librit në librari, paraqitjen në panaire etj. Thonë se janë shtëpi botuese por në fakt janë vetëm shtypshkronja, shtypin libra me pagesë dhe kaq. Dëmi që shkaktojnë në treg është i ububushëm se botojnë libra të rëndomtë, të paredaktuar, më e pakta.
Kurse për autorët që thonë se botojnë libra që u shiten masivisht përgjigjen e ka dhënë Borgesi në një nga kuvendimet e tij të famshme me Fernando Sorrentinon kur thotë: “E di që ka shkrimtarë që deklarojnë botërisht se ata kanë nxjerrë në treg botimin e tyre të pestë, të gjashtë apo të shtatë dhe se kanë fituar kaq e aq para. E gjitha kjo do të ngjante krejt qesharake në kohën kur kam qenë i ri, madje do të ngjante e pabesueshme. Njerëzit do të kishin menduar që një shkrimtar që flet për fitimet që nxjerr nga librat e tij me këtë nënkupton” “E di se çfarë shkruaj nuk ka vlerë, por e bëj për arsye financiare ose sepse më duhet të mbështes familjen.” Prandaj e shoh këtë fenomen si shenjë modestie ose budallallëk me brirë.” Për të vijuar me këtë që ka thënë Mjeshtri, ngjan qesharake që në fund të Panaireve të Librit në media lexojmë listen e librave që u shitën më shumë. Nuk ka kuptim, se nuk jemi në panair biznesi. Për të mos përmendur pastaj gënjeshtrat me bisht të botuesve që japin shifra të fryra si strategji marketingu.
Është kritikuar gjatë dhe vazhdon të mbetete e urryer censura e diktaturës komuniste mbi letërsinë. Por sot që hapësira mediatike për letërsinë është tkurrur në ekstrem në të gjitha mediumet, a është kjo një lloj censure e re, më e rafinuar e cila bëhet medemek nën logjikën e interesave të publikut kundrejt programeve televizive, apo mediatike në përgjithësi?
Në shoqërinë në të cilën jetojmë gjithçka i nënshtrohet ligjeve të tregut. Media ka reklamën si element të fuqishëm të tregut dhe sigurisht, libri, nuk i intereson. Libri argëtues, “skandaloz” që prodhon lajm konsumi, ndoshta, por jo vlerat letrare. Ajo që është sipërfaqësore më shumë se ajo që është e thellë, ajo që është e famshme më shumë se ajo që ka vlera, ka ndikimin më të madh tek media, por edhe tek element të tjerë të botës së letrave siç janë çmimet letrare, për të cilat jo vetëm autorët, shtëpitë botuese por edhe juritë letrare i përdorin si mënyra marketingu.
Mario Vargas Llosa u shpreh se e merrte me përulje çmimin Nobel që nuk e kishte marrë Borgesi por Nobelin e ka marrë edhe “shkrimtari” Wiston Churchill dhe “poeti i shquar” Bob Dylan. Sipas jurisë së Nobelit sigurisht. Por ju, kur mendoni për shkrimtarët e mëdhenj të shekullit, nuk besoj se mendoni për Çërçillin dhe Dylan-in apo jo? Llosa menjëherë pas kumtimit publik për Dylan-in u shpreh se çmimi Nobel për letërsinë është për shkrimtarët dhe jo për këngëtarët. Unë jam admirues i tij si këngëtar, por nuk mendoj se është shkrimtar i mirë, u shpreh ai. Por juria e Nobelit të thonë se Çërçilli dhe Dylan janë ndër shkrimtarët më të mirë të epokës.
Si shenjë proteste ndaj kësaj papërgjegjshmërie në shenjimin e vlerave letrare, është krijuar dhe Çmimi Jean Paul Startre, ku kandidatë për ta fituar janë të gjithë ata shkrimtarë që refuzojnë një çmime letrare. Lawrence Ferlinghetti, refuzoi një çmim për poezinë me vlerë pesëdhjetë mijë euro dhënë nga PEN-i hungarez, çmim që financohet pjesërisht nga qeveria autoritare hungareze. Ferlinghetti sugjeroi që paratë e çmimit të përdoren për të financuar “botimin e autorëve hungarez që mbështesin lirinë e plotë të shprehjes.” Për Ursula K. Le Guin-in, censura komuniste, apo e çdo lloj regjimi shtypës, kërkon që ta identifikoj shkrimtarin me diçka ndryshe nga vetja e tij. Sartre kishte ndjesinë që etiketa e një institucioni, do ta fshihte identitetin dhe autritetin e tij si shkrimtar. Të njëjtën gjë bën edhe makineria e komercializmit, bestsellerizmit dhe çmimdhënies: kërkon që ta etiketoj shkrimtarin si produkt. Botimi i garantuar i një suksesi në treg. Është laureate i Nobelit dhe Më The e Të Thashë. Autor Best Seller dhe më The e Të Thashë. Tridhjetë javë me radhë në listen e Best Sellerave të New York Times….” William Saroyan, e refuzoi Çmimin Pulitzer (1940) me arsyen se “tregu nuk duhet të jetë padron i artit”.
Në letërsinë shqipe, pothuaj në të gjitha trevat ku shkruhet shqip, po ndodh një fenomen i papranueshëm. Flitet për letërsinë e miqve të klanit, shkruhet për letërsinë e miqve të klanit, rekomandohet për financime e përkthime letërsia e miqve të klanit, jepen çmime për letërsinë e miqve, madje shenjat janë që edhe në një histori të ardhshme të letërsisë shqipe do të futen vetëm emrat dhe kontributet e miqve të klanit, duke lënë jashtë emra e vepra që nuk bien poshtë për nga vlera, madje shpesh mund të themi se përbëjnë arritje më të larta estetike. Ju ku e ndjeni veten në këtë vorbull centripale klanesh?
Fryma përjashtuese do të mbizotërojë për arsye klanore, lokale, politike, për shkak të injorancës dhe gjithashtu edhe prej thjesht trillit të marrëzisë dhe papërgjegjshmërisë. Unë kam ndjekur një master për letërsi në Tiranë dhe pedagogu i letërsisë bashkëkohore shqipe, në të gjithë ligjëratat e tij nuk përmendi qoftë edhe një herë të vetme një autor të pas viteve 90-të. Një herë një student u tregua shumë këmbëngulës që të përmendte një emër dhe ai më në fund, mezi nxori nga goja emrin e një shkrimtari që ka lindur në vitin 1946. Kjo kastë pedagogësh dhe kritikës letrarë arritën që për dyzetë e pesë vjetë të bëhen ligjërues të një historie të falsifikuar.
Klane të ndryshme letrare sot janë duke ndjekur pikë për pikë atë që bënë këta profesorë dhe kritikë në shërbim të historisë së gjymtuar të letërsisë. Ata jo vetëm që po e sundojnë skenën letrare me mjete jashtëletrare por edhe po e thjeshtëzojnë dhe skematizojnë historinë e procesit letrar duke përjashtuar prej saj këdo që nuk i bën hosana klaneve të tyre. Unë kam ambicjet e mia letrare, por bashkëpunimi me revistat letrare, si pasion i hershëm, shkrimi i prozës së shkurtër dhe të gjatë, shkrimi i eseve, përkthimet, dhe leximet janë para së gjithash një rutinë që më jep kënaqësi siç më jep kënaqësi një shëtitje përmes pyllit, kur era fryn lehtë dhe mendon se je duke ecur në parajsë. Historitë i rrëfej për qejfin tim, për atë kënaqësinë që të jep rrëfimi kur ke përpara teje dikënd që të dëgjon me vëmendje i përthithur nga fjalët që po thua, nga ritmi me të cilin po tregon duke pritur me endje fundin e rrëfimit.
Në këtë vorbull klanesh mendoj se NUK kam ndonjë “mision historik.” Ajo që jam duke bërë tani është leximi i romanit të Arlinda Gumës, “Bulevardi i yjeve” i cili për rastësi fillon kështu me ceremoninë e marrjes së një çmimi: “Maksi u ngrit në majë të gishtave për të arritur mikrofonin, i drejtoi sallës që duartrokiste furishëm një buzëqeshje bujare prej njeriu të suksesshëm, qëndroi disa çaste i heshtur, me buzëqeshjen varur në buzë, ndërsa priste i qetë të mbaronin duartrokitjet, pastaj, kur ndali edhe duartrokitja e fundit, kroi zërin dhe tha i sigurt: - Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj! E nderuar Juri! Jam thellësisht i prekur nga vlerësimi juaj. Kjo natë për mua do të mbetet e paharrueshme. Kjo natë është shpagimi i të gjitha përpjekjeve të mia të deritanishme. Ju faleminderit, të gjithëve!...” Çmimi që po merr Maksi, është në një çmendinë, por nuk është çmendina letrare bashkëkohore, sigurisht!