“Stinët në peizazh” vijnë përmes 68 veprave në pikturë

E mërkurë, 20 Mars 2019 10:41

Në galerinë “Art Saranda” këto ditë është çelur ekspozita “Stinët në peizazh” me vepra të piktorit të njohur Sadik Kasa. Në qytetin bregdetar në këtë galeri arti janë 68 punime në pikturë të realizuara nga artisti në teknikën e vajit, në gjininë e peizazhit dhe natyrave të qeta. Në ekspozitën “Stinët në peizazh” motivet që paraqiten janë nga gjithë Shqipëria dhe trevave shqipfolëse. Piktori Sadik Kasa ka një aktivitet prej vitesh në jetën artistike. Me punët e tij ai është prezantuar herë pas here në ekspozita dhe së fundmi punët e tij janë për publikun në qytetin e Sarandës.

Arti i tij është i unizuar me natyrën. Impresionin ai e gjen te kolori, drita, ajri, loja e dritës, njohja e mirë e natyrës dhe e hapësirës. Sadik Kasa është diplomuar në vitin 1977 piktor-skenograf. Për piktorin arti është mënyra e njohjes së artistit me njerëzit. Në pikturën e tij ne shohim përjetimet e artistit të vërtetë, ku shprehet ndjenja që na bën të komunikojmë me artin e tij. Nga viti 1995-2005 ka punuar mësues pikture në shkollën e mesme artistike “Onufri” në Elbasan. Në vitin 1991-1993 hap ekspozita personale në shumë qytete të Greqisë, ndërsa në vitin 1993 hap ekspozitë personale në Hollandë. Në vitin 1995 hap ekspozitë personale në Tiranë me motive nga Greqia dhe Holanda. Në vitin 1997 hap ekspozitë personale në Mestre, Venecia. Në vitin 2000 fiton çmimin e parë në ekspozitën Millenium në qytetin e Elbasanit. Në vitin 2011piktori Sadik Kasa fiton çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar Bashkëjetesa Fetare, e organizuar nga Komuniteti Mysliman në Shqipëri.

Në vitin 2005-2016 është pjesëmarrës në shumë galeri brenda dhe jashtë vendit me veprat e tij në pikturë. Artisti Sadik Kasa ka realizuar mbi 1500 krijime të ekspozuara në galerinë e qytetit të Elbasanit, në universitet, në bashki, qendra arti, koleksione private në shumë vende të botës. Galeria “Saranda Art” me aktivitetin e saj prej vitesh në qytetin bregdetar në jug të vendit, ka nisur të bëhet stacion i frekuentuar për të pasionuarit e pikturës dhe skulpturës, si dhe t’i shtohet vendeve të vizitueshme, që përmbajnë guidat turistike, si një vlerë e mirëfilltë e turizmit kulturor që ofron sot Saranda.

Modifikuar më E mërkurë, 20 Mars 2019 16:57
Login to post comments