Përfundojnë xhirimet e filmit “Ngjarje”

E mërkurë, 20 Mars 2019 10:44

“Ngjarje” titullohet filmi i regjisorit Lorin Terezi, i cili këto ditë ka përfunduar xhirimet. Me një kastë aktorësh nga Shqipëria, por dhe Kosova filmi është një komedi e zezë. Skenari i filmit është shkruar nga Lorin Terezi dhe Anila Balla, dhe ky projekt që tashmë ka mbaruar xhirimet në një fshat të Tiranës është me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky film me regji nga Lorin Terezi vjen në punën e tij pas filmit me titull “Tiran 100 km”. Regjisori tregon për punën që është bërë me filmin dhe shprehet se ngacmimi për shkrimin e skenarit ka qenë nga ngjarjet, që shpeshherë i dëgjojmë në ditët tona. Bashkëskenarist dhe regjisor Lorin Terezi tregon se në film një fshat i harruar merr vëmendje dhe bëhet i njohur vetëm pas gjetjes së një viktime. “Për të shkruar skenarin që jam bashkautor me Anila Ballën ne na ngacmuan ngjarjet që ndodhin edhe tek ne, ku gjenden viktimat, trupa të vdekur që janë të paidentifikuar në rrethinat dhe fshatra të Tiranës. Kjo ka qenë dhe inspirim për ne që të nisnim të shkruanim dhe skenarin e filmit artistik “Ngjarje”. Përveç historisë ne e shikojmë dhe se si është harruar fshati, që bëhet protagonist përmes kësaj ngjarje që ka ndodhur aty, por që është makabre. Pra kur të tjerët kujtohen për këtë fshat, kjo është sepse aty ndodhi një ngjarje makabre, dhe është trupi i një viktime. Më parë ai ishte një fshat i harruar”, tregon ai. Filmi “Ngjarje” ka mbaruar xhirimet, dhe me regjinë e Lorin Terezit është një komedi e zezë. Në një fshat të harruar të Tiranës gjendet një viktimë, një trup i vdekur dhe fshati bëhet protagonist, dëshmitar i kësaj ngjarje. “Fshatarët flasin dhe dëshmojnë për trupin që gjetën si krenarë që ata bashkëpunuan me policinë, por dhe dolën në ekranet e televizionit”, tregon regjisori Terezi këtë herë për filmin e tij më të fundit. Puna me filmin është gjithmonë me shumë vëmendje për regjisorin Lorin Terezi. Këtë herë ai në role ka angazhuar aktorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilëve i ka besuar rolet në “Ngjarje”. Në role përmendim aktorët si Mirjana Deti Laço, Bilbil Kasmi, Kreshnik Ferra, Pëllumb Dervishi, si dhe aktorja Lena Kryeziu Bokshi, që vjen nga Prishtina. Xhirimet e filmit janë bërë në fshatin Shkallë të Shëngjergjit në Tiranë. Filmi është i financuar vetëm nga QKK dhe sipas regjisorit premiera pritet nga fillimi i muajit maj.  Në film tregohet jeta e luksit për Lindën që interpretohet nga Anila Balla, gjë e cila merr fund kur Stefani, që luhet nga aktori Ardian Cerga, biznesmen i suksesshëm vdes. E gjendur e papërgatitur në një atmosferë armiqësore, ajo kthehet në vendin e lindjes. Por, me ç’duket, fshati ka mbetur ashtu siç ajo e ka lënë, bashkë me rrugët, njerëzit dhe familjen. Dëshmitare e mjerimit, pa e kaluar pragun e shtëpisë, ajo riniset drejt kryeqytetit, 100 kilometra larg.

Login to post comments