“Zhizel” i Agron Aliajt, premierë në skenën e teatrit të Korçës

E Enjte, 21 Mars 2019 13:29

Baleti “Zhizel” me artistët e TOB do të shënojë premierën e tij dhe në skenën e teatrit të qytetit të Korçës. Për dy mbrëmje vepra e baletit do të jetë në skenë për publikun. Veprën me koreografi që është e bazuar nga Agron Aliaj e rivë në skenë Enada Hoxha. Teatri “Andon Zako Çajupi” lajmëron se ky balet është ngjarje artistike për skenën korçare. “Ngjarje e madhe artistike në skenën e Teatrit të Korçës! Baleti “Zhizel”, interpretuar nga trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit! Rivënie historike in memoriam të Agron Aliaj”, shkruan teatri për baletin që do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 28 dhe 29 mars. Balet me dy akte nga Adolphe Adam, në këtë rivënie historike është ruajtur e pandryshuar struktura e koreografisë e realizuar nga origjinali dhe punuar nga mjeshtri Agron Aliaj, por është një produksion komplet i ri. Libreti është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Prej disa ditësh artistët në drejtimin e Enada Hoxhës po zhvillojnë provat për të sjellë këtë vepër në skenë. Një punë që po bëhet me një përkushtim të madh dhe dy net me radhë artistët do të jenë në skenën e Korçës. Solistja e njohur Ledia Sulaj në këtë vepër vjen në skenë si Zhizel. Mes të tjerave ajo shprehet se kjo vepër përcjell emocione por dhe momente të veçanta. “Është një vepër shumë emocionuese dhe momenti më i veçantë është momenti ku Zhizeli çmendet. Unë personalisht e kam përjetuar thellësisht dhe kam qarë vërtetë. Lot në sy gjatë interpretimit, dhe kjo ishte pjesa më e bukur e veprës. Përveç pjesës teknike, futja nën petkun e Zhizel është çelësi i zbërthimit të veprës. Me këtë balet ne jemi për herë të parë në skenën e Korçës dhe është premierë”, tregon solistja Ledia Sulaj. Në shfaqjen që vjen në skenë nga trupa e baletit baletmaestër është Enada Hoxha, koreopetitore Alisa Gjoni, skenograf Renold Sula, kostumograf Ardi Asllani dhe koncertmaestër Enina Llozi.

Login to post comments