Është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme regjisori i filmave kronikale dhe dokumentare Qerim Mata, i njohur për filmin e tij “Udhëtim në pranverë” , si dhe rolin e Lefter Lefterit në filmin “I teti në bronx”. Varrimi I tij bëhet sot me datë 21 mars, ora 15:00. Nisja nga Funeral Alba 2000 (pranë Medresesë) për në Varrezat e Tufinës.
Qerim Mata (1934-2019), regjisor i filmave kronikale dhe dokumentare, lindi në Tiranë, më 10 tetor. Pas mbarimit të Institutit të Lartë të Arteve për aktor, filloi punë në kinostudion “Shqipëria e re” si asistent regjisor, ndërsa në vitin 1972 xhiroi si regjisor i pavarur filmin dokumentar Motive dibrane, i cili u pasua nga 35 të tillë me tema, subjekte e motive të larmishme. Filmi muzikor Udhëtim në pranverë, 1975, falë një strukture të lehtë subjektore-rrugëtimit të një çifti të dashuruarish nëpër peizazhet industrial, bujqësore e mjedisore të vendit solli disa nga këngët më të bukura të kohës.
Ajo që krijon profilin e tij është lëvrimi i filmit dokumentar, ku vendin kryesor e zënë shqetësimet dhe problemet që lidhen me jetën e përditshme të njeriut të kohës, ndër ta: Nëpër rrugët e një qyteti, Porti i Durrësit, Një ditë në trase, Me detare e linjave të largëta, Fshati Llukaj, Tregim për njeriun e punës etj.
Në vëmendjen e tij janë afruar edhe tema të tjera, qoftë ato nga historia dhe heronjtë e saj, nga shkolla dhe mësimdhënia, fizkultura dhe sportet, arti dhe bukuria e tij e deri te mjediset dhe peizazhet joshëse të vendit, si: Lufton djali, Lufton plaku, Lufton Mujo Ulqinaku, Kujdes, kujdes, Teatri partizan, Spartakiada, Valbona etj. Një mori reportazhesh bëjnë pjesë në ndihmesën e tij ndaj këtij lloji të filmimeve televizive ku mund të përmenden: Reportazh në zonat e dëmtuara nga tërmeti dhe Tërmeti u mposht.