Eduart Makri sfidon Ilir Butkën për postin e kryetarit në QKK

E Enjte, 04 Prill 2019 13:18

Ministria e Kulturës hapi më 19 shkurt konkursin për kryetar të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Konkursi referuar faqes zyrtare të ministrisë është mbyllur më datë 6 mars dhe në garë për postin e QKK pranë ministrisë dorëzuan platformat e tyre katër kandidatë, kineasti Ilir Butka (ish-drejtor i QKK), artistja Yllka Gjollesha, producentja Elkjana Gjipali dhe regjisori Eduart Makri. Mësohet se për postin e QKK nga Ministra e Kulturës i janë propozuar kryeministrit dy emra, Ilir Butka dhe Eduart Makri.  Thuhet se kandidati potencial për të marrë drejtimin e qendrës së filmit është Eduart Makri. Në fushën e kinematografisë në vend regjisori Makri është një emër që sipas kineastëve nuk e njeh punën me kinemanë dhe për gati dy dekada nuk ka dhënë kontribut për filmin. Kineastët shprehen se kryetari Ilir Butka duhet të jetë emri që meriton ta marrë drejtimin e QKK dhe për katër vjet të tjera, sepse në krye të qendrës së filmit puna e tij ka pasur rezultate. Ata shprehen se nuk mundet të jetë kandidat një emër që nuk e njeh filmin dhe situatën në vend për gati dy dekada. Ilir Butka ka një aktivitet prej vitesh në fushën e kinemasë, njeh punën me filmin dhe ka treguar deri tani aftësitë e tij në drejtimin e QKK. Nëse në 17 vjet (1997 deri 2014), janë financuar 183 filma, nga të cilët 34 filma të gjatë, vetëm në 4 vite (2015 - 2018) nën drejtimin e Butkës janë financuar 130 filma, nga të cilët 56 filma të gjatë. Për 4 vjet u financuan mbi 210 projekte, nga të cilët 12 filma të gjatë të karrierës, 14 filma të gjatë vepër e parë për kineastët e rinj, 15 filma të gjatë bashkëprodhim në minorancë, 14 filma të gjatë independentë, 37 filma të shkurtër, 23 dokumentarë, 19 filma te animuar, 22 festivale filmi, 4 workshope, 10 trajnime për kineastët e rinj dhe rreth 20 projekte të tjera me karakter promovues brenda dhe jashtë vendit. Por nëse flasim për regjisorin Makri aktiviteti i tij me filmin është i panjohur pas ‘90. Para ‘90 ka bërë disa role, asistent filmash dhe dy filma mbajnë emrin e tij si regjisor. Në vitin 2000 largohet nga atdheu për në Kanada. Përballë punës së Butkës dhe një kandidati që për gati dy dekada ka qenë larg me të drejtë kineastët shprehen se në krye të QKK duhet të jetë një emër që e njeh realitetin në vend.

Login to post comments