Një jetë mes dy kulturash

Hënë, 08 Prill 2019 16:52

Dionesa Ebibi / Beograd

Aktorja jugosllave Branka Petriq, që karrierën e zhvilloi në film, teatër e televizion, vazhdon të jetë e pasionuar pas profesionit që ka zgjedhur edhe sot, në moshën 83-vjeçare. Ylli filmik që në Kosovë njihet si gruaja e Bekim Fehmiut po vazhdon të prezantohet para publikut në Beograd, ku jeton. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Petriq ka folur për karrierën e saj në aktrim, jetën me Fehmiun, si dhe zhvillimin e jetës kulturore mes dy vendeve tona

Gjashtë dekada në aktrim

Aktorja e mijëra roleve, Branka Petriqi, vitin e kaluar ka festuar 60-vjetorin e zhvillimit të karrierës në aktrim e pas kaq shumë vitesh ajo thotë se prapë do ta kishte ndjekur rrugën e njëjtë. “Me aktrim profesional unë merrem qëkur kam përfunduar Akademinë e Arteve dhe profesionalisht vitin e kaluar kam mbushur 60-vjetorin e të qenët pjesë e aktrimit. Prej viteve 59-60, qëkur profesionalisht merrem me aktrim, unë akoma edhe sot kur kam mbushur 83 vjet do të zgjidhja drejtimin, profesionin e njëjtë”, nis kështu rrëfimin për “Zërin” artistja.

Prej mijërave roleve që ka luajtur, e pyetur se cili rol ka qenë më i dashuri për të, ajo thotë se asnjë aktor nuk do të mundë të përgjigjet për këtë pyetje për faktin se sipas saj prej momentit që aktori e fiton një tekst, përderisa e lexon fillon të mendojë në çdo drejtim se si do të duket në atë rol. “Të gjithë mundin, energjinë, talentin nëse posedohet, durimin, frikën e madhe, dertin se si do të lindë ai rol tek ju ju e jepni nga vetja. Rolet janë si bebet, siç e thotë një mike artiste. Disa vlerësohen me notë pesë, disa me dhjetë. Mund të them se ka shfaqje në të cilat je pjesë vetëm me ndonjë rol të vogël, por që shfaqja është e rëndësisë së madhe, edhe për mua, edhe për kohën në të cilën luhet e edhe për problemet të cilat trajtohen. Në njëfarë forme ti mund të jesh artiste e mrekullueshme dhe të kesh rol të rëndësishëm, por ajo nuk mund të jetë më e mira e mundshme nëse shfaqja nuk është e mirë”, rrëfen Petriqi.

Por ajo ka veçuar disa shfaqje, si ajo “Budiljnik”, e cila ka trajtuar në mënyrë satirike mënyrën sesi jeta na trajton dhe ka qenë shfaqje e cila ka kërkuar guxim.

Shfaqje e decenies po ashtu ka qenë sipas saj “Sumrak” e Isak Babelj, në të cilën ka luajtur rolin e një vajze të vjetër, që nuk e ka fatin kurrsesi të martohet dhe për këtë ajo është e mërzitur, sepse secilën herë që dëshirojnë ta martojnë u prishet plani.

Edhe pse në moshë të shtyrë, ajo për “Zërin” ka treguar se para dy muajve ka luajtur në shtatë shfaqje dhe është aktive në skenën e artit. Para dy muajve ajo mori pjesë në shfaqjen e Nikolay Kolyadas. Shfaqje kjo e cila është shkruar për artistët që mbushin të 60-at e më shumë, për të cilën ajo thotë se do të duhet të ndihen të gëzuar artistët që është shkruar një shfaqje e tillë, sepse shumë rrallë shkruhen role për moshat më të vjetra, pos të “gjysheve” që mund të luajë një artist në atë moshë.

Të jetosh me një artist siç ishte Bekim Fehmiu

Kur e pyesim se a e ka bashkuar arti me aktorin Bekim Fehmiu Petriq, duke qeshur thotë se më shumë se arti vëmendjen ia ka marrë një djalë i pashëm. Ndërkohë që për “Zërin” rrëfen se si ishte personaliteti i Fehmiut edhe në jetën private. Sipas saj, ai u ka pëlqyer të gjithëve sepse ka qenë shumë pedant dhe kjo është vërejtur gjithmonë tek ai. “Para se të ishim të lidhur ne kemi qenë shokë për pesë ose gjashtë vjet, ne i kemi ndihmuar njëri-tjetrit. Unë i kam ndihmuar Bekimit me serbisht, pasi që nuk ka qenë gjuha e tij amë, pastaj kemi mësuar bashkë me të edhe gjuhën angleze, sepse ai në shkolla pati mësuar gjuhën frënge. Mund të them se para lidhjes ne kemi pasur jetët tona e më interesant ka qenë sepse ai gjithmonë e ka thënë se kurrë nuk do ta martojë një aktore. Vite më vonë pasi patëm filluar të lidheshim, pas ushtrimeve që kishim pasur për shfaqje ai më kishte pyetur nëse mund të bëhem e dashura e tij dhe përgjigja ime ishte se ai është shumë i ri për mua. Por koha ecte e Fehmiu pati shkuar në ushtri, pastaj kujtoj kohën kur e para i pata uruar vitin e ri”, rrëfen Petriq, e cila shton se arti ndoshta ka qenë shkallë për t’u ngjitur deri tek ideja e bashkimit. Petriqi thotë se gjatë kohës kur kanë qenë të martuar është munduar t’i ndihmojë Fehmiut që të përkushtohet në anën profesionale dhe të mos i kushtojë shumë rëndësi nëse ka ndonjë borxh pa paguar, dertin dhe problemet e familjes e të vendit të vet. “Mendoj se është dashur të lirohet nga problemet që i sillte jeta e përditshme”, thotë ajo.

E pyetur se si e vlerëson Fehmiun në aspektin profesional si artist, Branka thotë se ai fluturon shumë lart. “Unë mendoj se ai është artist i nivelit botëror. E kemi shikuar së bashku edhe me kolegë, të cilët i kanë dhënë të gjitha meritat që mund t’i marrë një artist botëror dhe e kanë ngritur në pikat më të larta në qiell”, kujton ajo.

E sipas saj ajo për të cilën më së shumti i vjen keq është se të gjithë e kujtojnë si artist dramash, kurse ai ka qenë një komik i jashtëzakonshëm dhe për këtë fakt askush nuk e di, përveç saj. Artistja rrëfen se si kur kanë ushtruar në prova në akademi, kur ka qenë në disponim shumë të mirë Fehmiu ka imituar dikë, ka treguar ngjarje komike dhe për këtë ai ka qenë i mrekullueshëm.

Ajo e përshkruan atë edhe si një njeri i cili si i ka pasur rolet, ashtu ka qenë edhe në jetën e përditshme dhe kjo rrallëherë mund të jetë veti që gjendet. “E ajo që më së shumti i vlerësohet si artist e që rrallëkush e zotëron është se ai ka qenë zot i udhëheqjes së trupit të vet, duke i kombinuar duart me fytyrën dhe atë që ai e ka thënë. Siç edhe thuhet, lëviz me duar sikur të jetë duke prerë me sharrë drurin”, shprehet e veja e Fehmiut.

Petriq ka vlerësuar më së shumti rolin të cilin Fehmiu e ka pasur në shfaqjen “Specijalno vaspitanje”, ku luan rolin e mësuesit e për të cilin sipas saj ai mbahet mend.

Kosova, brenga e përjetshme e Fehmiut

Jeta e çiftit Fehmiu, që patën dy fëmijë bashkë, Uliksin dhe Hedonin, ishte e ndarë mes dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës. Petriq thekson se djalin e madh e emëruan Uliks, si sinonim i emrit Odise, njëri nga rolet më të famshme të Fehmiut, kurse të dytin Hedon, duke u bazuar në emrin e nënës së Bekimit, Hadije, emër për të cilin ajo thotë se djali është shumë i lumtur që e mbart.

Petriq kujton se Fehmiu ishte tejet i lidhur dhe i preokupuar për vendin nga vjen, si dhe familjen e tij. Sipas saj, shpërbërja e Jugosllavisë, urrejtja dhe nacionalizmi gradualisht e shkatërruan shpirtin e burrit të saj.

Artistja thekson se ajo lidhjet me Kosovën asnjëherë nuk i ka humbur, edhe pas vdekjes së Fehmiut. Ajo akoma viziton shtëpinë e Bekim Fehmiut në Kosovë, të cilën ai, siç shprehet ajo, prej A-së e deri në Zh e kishte ndërtuar dhe ia kishte bërë dhuratë nënës së tij. Për “Zërin” Petriq ka folur edhe për gjithë familjen e Fehmiut, se si i viziton ata dhe ka kontakte shumë të mira. Branka konsideron se e mira më e madhe që e ka pasur Bekimi është familja e ngritur dhe kjo i ka sjellë shumë privilegje jetësore.

Bekim Fehmiu sipas saj asnjëherë nuk ka dashur të jetë pjesë e ndonjë rryme ose partie dhe nuk ka dashur t’i përkasë ndokujt. “Ai ka qenë shqiptar që plusin më të madh e ka pasur se ka qenë fëmija i Ibrahim Fehmiut, familjes që ka bërë dritë në shpirtin e tij”, thekson Petriq. E pyetur se sa ka ndikuar te fëmijët e saj rritja në mesin e dy kulturave, ajo ka thënë se dhënia nga secila kulturë është pasuri. “Në jetë duhet të jesh i hapur, në secilin besim kur arrin deri te toleranca e dashuria dhe ajo që duhet ta pranosh tjetrin janë shumë të rëndësishme. Nuk dua të jem religjioze, por njeri shpirtëror që merr frymë”, shprehet ajo. Petriq kujton edhe thënien e babait të Bekimit dhe e citon se nuk ka popull të keq dhe të mirë, por ka njerëz të këqij dhe njerëz të mirë.

Duke qenë se djali i tyre Uliksi është aktor, e pyetur se çfarë këshillash ia kanë dhënë si prindër, ajo thotë se nuk u është përzier asnjëherë fëmijëve se në cilët rrugë të shkojnë. Sipas saj, Uliksi ka zgjedhur vetë të jetë pjesë e botës së artit. Ajo duke qeshur kujton kohën kur Fehmiu u thoshte djemve se ata duhet të kenë zanat dhe të jenë zot të vetes.

Branka Petrriqi është edhe përkrahëse e festivalit “Mirdita, Dobar Dan”, që mëton përmes kulturës t’i përafrojë të dyja vendet. “Unë mendoj se nuk është duke u bërë shumë, edhe kaq është mirë, por do të doja të bëhet më shumë në këtë aspekt”, shprehet ajo. Ajo tregon se ndihet shumë e lumtur kur e sheh se sa edhe sot bëhet për Bekim Fehmiun, burrin e saj. Këtu veçon ekspozitën e fundit që i është organizuar në Kosovë me fotografi të shtëpisë ku ka jetuar në Sarajevë, kapelën, çmimet, cigaret e filxhanin e tij që u ekspozuan aty. “Jetojmë në kohën kur i kemi të njohura çështjet politike dhe situatën nën tension që kanë krijuar këto dy shtete, artistët janë ‘bashkësia inxhiniere’. Ata që do të ndërtojnë urat lidhëse, përderisa politikanët gjithë ditën mund të ngritin konflikte, mbajnë njerëzit nën tension dhe në fund të ditës ulen, pinë e hanë së bashku”, thotë Branka Petriq.

Ajo konsideron se grupi i njerëzve që mund të ndihmojë në përafrimin e dy vendeve janë si në ushtri, një grup udhëheqës me formacion, me artistë, gazetarë, piktorë e regjisorë. Sipas saj, ky grup i njerëzve mund të ndihmojë jo vetëm në raportin e shteteve tona, por edhe të cilitdo shteti në botë që ekziston.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...