Sapo qarkulloi në Francë romani “Valsi i lumturisë”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka, botuar nga shtëpia e njohur botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri).
Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge shkrimtari Ismail Kadare shkruan ndër të tjera: «Një roman i shkruar me art dhe dinjitet», ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër:
«Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional.
Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore.”
Ndërsa pas botimit të këtij romani në Itali, gazeta “Corriere della sera” ka shkruar “Qesh hidhur tek lexon këtë roman, e megjithatë qesh.”
Ndërsa ish-ambasadori italian në Shqipëri, Mario Bova shkruan në revistën L’indic: «Si vepër letrare, “Il sogno italiano” (“Valsi i lumturisë”) i kapërcen fuqishëm kufijtë e një hapësire kombëtare e lokale, për të arritur fuqinë e një reflektimi mbarëeuropian, për tragjedinë e tmerrshme të fenomeneve të emigracionit drejt kontinentit.»
Romani «Valsi i lumturisë» i botuar nga shtëpia botuese Toena mbështetet në një ngjarje të vërtetë.
Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa, hynë ilegalisht në ambasadën italiane. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hyn tinëzisht (duke u hequr si turistë) në ambasadën italiane dhe aty kërkon menjëherë strehim politik. Shteti totalitar shqiptar pëson një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Një gjë të tillë, kush kishte guxuar ta bënte më parë ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzonte në duart e sigurimit të shtetit shqiptar. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin e vëmendjes të ndërkombëtarëve drejt Shqipërisë. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 mijë policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana.