Filmi “Zgjimi i Enver Simakut” me skenar dhe regji nga Marco Lledo, produksioni i parë spanjoll i xhiruar në Shqipëri, u shfaq premierë në Tiranë. Filmi i regjisorit Lledo rrëfen hetimin e një gazetari (Julien Blaschke), gruaja e të cilit është vrarë para dy dekadash, i cili kthehet në Shqipëri për të hetuar për vdekjen e saj misterioze në përpjekje për të kuptuar atë që ka ndodhur realisht.
I përshkruar nga vetë kineasti si një përzierje e realitetit dhe trillimit, ky “thriller” emocionues zgjati 106 minuta, dhe një pjesë e xhirimeve janë zhvilluar edhe në Spanjë. Në role për publikun ishin aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare.
Rolet në film interpretohen nga aktorët si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Lulzim Guhelli, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili, Piro Milkani, Julien Blaschkesi, etj.
Filmi ka në qendër një ngjarje të mbushur me mister, që lëkundet mes besëtytnive popullore, ekzorcizmit të një prifti ortodoks, që nuk e kishte ndërprerë ritualin edhe gjatë diktaturës së Enver Hoxhës dhe ngjarjeve reale.
Filmi rrotullohet rreth një vrasjeje të mistershme, shkaqet e së cilës nuk janë ashtu siç mendohet. Në shtator të vitit 1997, afër Kishës së Mesopotamit, ndodh një masakër, ku mbeti e vrarë edhe një gazetare, Anxhela.
Historia e pazbardhur e viteve më parë dhe disa xhirime amatore të bëra natën e 27 shkurtit e nxisin Julienin, të shoqin e gazetares, të kthehet të Shqipëri, kësaj here vetëm, pa mbështetjen e ndonjë kanali televiziv, të gjejë vrasësit e së shoqes.