Pjesë e këtij festivali i cili mbledh përfaqësues nga shumë shtete të Evropës është tash e 16 vite edhe Shqipëria, e cila në një aspekt përfaqëson edhe Kosovën, pasi ende nuk ka arritur të bëhet pjesë e këtij festivali, shkruan lajmi.net.
Artistë të ndryshëm kanë përfaqësuar vendin për gjithë këto vite, disa u treguan më të suksesshëm e disa më pak.
Që nga viti 2004 e deri më sot, Shqipëria merr pjesë në këtë ngjarje, ne kemi nxjerrë një ‘listë’ në cilën bëjnë pjesë artistët që përfaqësuan Shqipërinë dhe dolën si më të suksesshmit në kët format të festivalit të këngës.
Anjeza Shahini
Shqipëria ka garuar për herë të parë në festivalin “Eurosong” në vitin 2004, kur u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “Imazhi Yt”. Këngëtarja performoi në gjuhën angleze, ndërsa titulli i këngës në këtë version bënte “Image Of You”. Anjeza shënoi sukses të jashtëzakonshëm me përfaqësimin e vendit për herë të parë në këtë festival, duke arritur të zë vendin e shtatë në natën finale.
Ledina Çelo
Pas Anjezës, në vitin 2015 festivalin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), e fitoi Ledina Çelo, e cila u zgjodh ta përfaqësonte Shqipërinë në festivalin e këngës evropiane. Kënga me të cilën konkurronte ishte “Nesër shkoj”, të cilën e realizoi në versionin anglisht me titull “Tomorrow I Go”, me të cilin edhe u paraqit në skenën e “Eurosongut”. Por, krahas suksesit të Anjezës, Ledina u rendit disa vednde më poshtë në listën finale. Ajo zuri vendin e 16-të.
Luiz Ejlli
Në vitin 2006, shteti shqiptar zgjodhi të përfaqësohej nga një këngëtar, i cili ishte Luiz Ejlli. Kënga me të cilën Luizi mori pjesë në Eurovizion ishte “Zjarr e ftohtë”, e cila nuk arriti të kualifikohet për finale. Madje, kjo ishte hera e parë prej kur Shqipëria mori pjesë dhe nuk u kualifikua në këtë festival.
Frederik Ndoci dhe Aida Ndoci
Festivalin e RTSH-së në vitin 2007 e kishin fituar Frederik dhe Aida Ndoci, të cilët morën timonin për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”. Kënga me të cilën u paraqitën ishte “Hear my Pela”, e cila ashtu sikurse kënga e Luiz Ejllit nuk arriti të kualifikohet për finale.
Olta Boka
Këngëtarja Olta Boka ishte përfaqësuesja e Shqipërisë në festivalin e këngës evropiane më 2008. Krahas dy viteve të lartpërmendura, Olta kishte arritur të kalojë në natën finale, madje me këngën “Zemrën e lamë peng”, zuri vendin e 17-të.
Kejsi Tola
Përfaqësues nga Shqipëria në festivalin “Eurosong” kishte edhe gjatë vitit 2009, kësaj radhe ishte këngëtarja Kejsi Tola ajo që përfaqësoi vendin. Kënga me të cilën Kejsi mori pjesë në festival ishte “Më merr në ëndërr”. Ajo kaloi në finale dhe ashtu sikurse Olta zuri vendin e 17-të.
Juliana Pasha
Këngëtarja Juliana Pasha fitoi festivalin e RTSH-së në vitin 2010, festival i cili fituesin e dërgon në “Eurosong”. Kënga me të cilën Juliana mori pjesë ishte “It’s All About You”, e krahas Kejsi Tolës, ajo arriti të zë vendin e 16-të në finalen e 2010-ës.
Aurela Gaçe
“Feel the Passion” titullohet kënga e radhës me të cilën Shqipëria mori pjesë në “Eurosong”. Këngëtarja Aurela Gaçe ishte ajo që përfaqësoi vendin në vitin 2011, por fatkeqësisht nuk arriti të kualifikohet për natën finale.
Rona Nishliu
Viti 2012 konsiderohet si viti më i suksesshëm për Shqipërinë në festivalin e këngës evropiane. Kjo ngase këtë vit Shqipëria u radhit e pesta në natën finale, sukses të cilin nuk e kishte arritur askush nga konkurrentët e deritashëm. Ishte këngëtarja Rona Nishliu ajo e cila u paraqit në skenën e “Eurosongut” me këngën “Suus”, e cila la pa fjalë publikun me vokalin e fuqishëm. Por, pas këtij festivali ajo është “zhdukur” nga muzika.
Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko
Në vitin 2013, këngëtarët Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko u zgjodhën për ta përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”. Kënga me të cilën morën pjesë ishte “Identitet”, as këtë vit nuk arriti të kualifikohet për në natën finale.
Hersi Matmuja
“One Night’s Anger” titullohet kënga e cila përfaqësoi Shqipërinë në këtë festival në vitin 2014. Këngëtarja që u ngjit në skenën e “Eurosongut” në këtë vit ka qenë Hersi Matmuja, e cila kishte fatin e njëjtë me atë të dy artistëve që morën pjesë një vit më parë, pra nuk u kualifikua.
Elhaida Dani
Në vitin 2015, ishte këngëtarja Elhaida Dani ajo e cila me këngën “I’m Alive”, kënduar në anglisht, u ngjit në skenën e “Eurovizionit”. Pas dy vitesh, ku Shqipëria nuk kishte mundur të hyjë në finale, Elhaida arriti të futet në garën e ngushtë dhe zuri vendin e 17-të.
Eneda Tarifa
Kënga përfaqësuese e vitit 2016 për Shqipërinë është “Fairytale” e artistes Eneda Tarifa. Edhe pse këngëtarja kishte marrë komente pozitive për këngën, ajo nuk arriti të kualifikohet në finalen e madhe.
Lindita Halimi
Edhe në vitin e kaluar, Shqipëria ka marrë pjesë në festivalin e këngës “Eurosong”. Vendi u përfaqësua nga këngëtarja kosovare, Lindita Halimi, e cila performoi këngën “Botë”, të realizuar në versionin anglisht me titull “World”. As këtë herë, vendi nuk mundi të hyjë në finalen e madhe.
Eugent Bushpepa
Këtë vit, përfaqësues i Shqipërisë do të jetë Eugent Bushpepa, i cili do të këndojë sonte në gjysmë-finalen e parë të “Eurovizionit”. Këngëtari ka një vokal të fuqishëm dhe me profesionin e muzikës merret tash e sa vite. Ai ka qenë pjesë e disa festivaleve në Shqipëri, ku në vitet 2008 dhe 2011 kishte fituar çmimin “Zëri më i mirë” në Top Fest. Sa i përket pjesëmarrjes në festival, deri tani Bushpepa ka pranuar vetëm komente pozitive lidhur me këngën, por se cili do të jetë rezultati, mbetet të shihet.
Kujtojmë që këtë vit mbahet edicioni i 63-të i festivali “Eurovizion”, për herë të parë nikoqire do të jetë Portugalia, pas dy netëve gjysmë-finale (8-10 maj), finalja e madhe mbahet më 12 maj. Festivali mbahet në Altice Arena të Lisbonës, ku do të garojnë plot 43 vende.
E veçanta e festivalit këtë vit është se në skenën e “Eurosongut” do të ngjiten tre shqiptarë, përveç Eugent Bushpepës që përfaqëson Shqipërinë, në garë janë edhe Ermal Meta, i cili është përfaqësues i Italisë dhe Eleni Foureira, e cila konkurron për Qipron. /Lajmi.net/